VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vazhdojnë protestat në Teheran; policia përleshet me demonstruesit
E Shtunë, 06.20.2009, 08:45pm (GMT1)

 

 

 

 

Dëshmitarët në Teheran thonë se policia përdori sot gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe pompa uji në përpjekje për të shpërndarë mijëra protestues.

Televizioni shtetror konfirmoi disa incidente, duke thënë se policia u përlesh me ata që u cilësuan si elementë që u përpoqën të zhvillonin protesta ilegale kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

 

Kandidati presidencial, që humbi, Mir Hussein Mousavi bëri një deklaratë sot për Këshillin Suprem të Iranit, në të cilën përsëriti thirrjen e tij për shpalljen të pavlefshëm të rezultatit të zgjedhjeve. Ai nuk komentoi rreth protestave.

Ky Këshill, organi më i lartë legjislativ i Iranit, paralajmëroi kandidatin presidencial Mir Hussein Mousavi se ai do të mbajë përgjegjësi për "pasojat e protestave ilegale".

 

Iran ka ndaluar mbulimin e demonstratave nga media e pavarur, por dëshmitarë të shumtë thonë se mijëra banorë dolën nëpër rrugë duke mospërfillur paralajmërimet e qeverisë.

 

Dëshmitarët njoftuan gjithashtu për një pranitë madhe të policisë, veçanërisht përreth dy shesheve të Teheranit, ku u zhvilluan protesta më parë.

Po sot, media shtetrore iraniane bëri të ditur se një sulm i dyshuar me autobombë ndodhi pranë një faltoreje të të djerit Ayatollah Ruhollah Khomeini, udhëheqësi i Revolucionit Islamik të vendit . Të paktën 2 persona u plagosën.

 

Ndërsa autoritetet iraniane kanë kufizuar mbulimin nga mediat e pavarura të protestave të opozitës, dëshmitarët okularë po përdorin Internetin dhe telefonat celularë për të njoftuar atë që kanë parë në rrugët e Teheranit.

Faqe elektronike të opozitës njoftuan se protestuesit kishin në plan të mblidheshin sot në Sheshet Revolucioni dhe Liria, dy prej shesheve më të mëdha të kryeqytetit Teheran.

 

Por dëshmitarët i thanë Zërit të Amerikës dhe agjencive të tjera të lajmeve se kishin parë një numër të madh forcash policore nëpër rrugë, që bllokonin demonstruesit.

Pranë Sheshit Liria, dëshmitarët thanë se policia u përlesh me mijëra protestues, duke arrestuar disa prej tyre e duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe pompa uji ndaj të tjerëve.

Disa dëshmitarë thanë gjithashtu se kishin dëgjuar të shtëna armësh, por nuk është e qartë se kush hapi zjarr. Të paktën 3 helikopterë fluturonin mbi zonë.

Në zona të tjera të kryeqytetit, dëshmitarët thanë se protestuesit sulmuan autoritetet, duke u vënë zjarrin disa prej automjeteve të tyre.    (ze)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.