VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Arrestohet vajza e ish presidentit iranian Rafsanxhani
E Djelë, 06.21.2009, 04:48pm (GMT1)

 

 

 

 

Televizioni shtetëror i Iranit njoftoi se autoritetet e kanë arrestuar vajzën e ish presidentit Hashemi Rafsanxhani bashkë me katër anëtarë të familjes së tij, për shkak se kanë marrë pjesë në tubimet protestuese pa leje.

Televizioni njoftoi se ata janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës.

Televizioni shtetëror transmetoi pamje të Fazih Hashemi, vajzës më të madhe të Rafsanxhanit, duke iu drejtuar qindra përkrahësve të opozitës javën e kaluar.

Rafsanxhani nuk e ka fshehur pakënaqësinë me presidentin Mahmud Ahmadinexhad, fitoren e të cilit në zgjedhjet e 12 qershorit e konteston kandidati i opozitës, Mirhosein Musavi.

Ky i fundit e ka akuzuar Rafsanxhanin dhe familjen e tij për korrupcion.

 

Televizioni shtetëror iranian tha se 10 njerëz e kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 janë plagosur në përplasjet e djeshme në Teheran ndërmjet policisë dhe demonstruesve që përkrahin opozitën.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe vrushkuj uji për t'i penguar demonstruesit që të vijnë te sheshi kryesor në Teheran.

Ndërkohë, lideri i opozitës, Mirhosein Musavi tha se Republika Islamike duhet të pastrohet nga ato që ai i quajti gënjeshtra dhe pandershmëri. Ai gjithashtu tha se nëse iranianët nuk janë në gjendje t'i mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë paqësore, atëherë do të ketë rrugë të rrezikshme në të ardhmen.

Sot, kreu i policisë së Iranit, Ahmadi Mohadam, e paralajmëroi Musavin se oficerët do të përballen me vendosmëri ndaj çdo trazire në rrugët e Teheranit.

Gezatat e botuan letrën e shefit të policisë në të cilën ai thotë se banditët po veprojnë në hijen e atmosferës së krijuar nga vetë Musavi.REL

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.