VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Europa kërkon armëpushim të përhershëm në Gaza
E Martë, 12.30.2008, 10:32pm (GMT1)

30 dhjetor (Voal-online) Në takimin e mbajtur në mbrëmje në Paris ministrat e Jashtëm europianë kanë kërkuar armëpushim të përhershëm dhe pranim të ndihmave humanitare në Gaza. Bernard Kushner ka deklaruar. "Duam armëpushim që të jetë i përhershëm në Gaza, një armëpushim i cili të jetë i respektuar, me një pranim të ndihmave humanitare tejet të siguruar, sepse viktimat janë të shumta dhe është e nevojshme të sigurohen ndihmat, pra edhe të rikthehet edhe procesi i paqes." Në këtë takim Javier Solana, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe Sigurinë ka thënë se Brukseli po punon për një zgjidhje të konfliktit në Gaza. "Pika e parë, ka përsëritur Solana, është armëpushimi i menjëhershëm, pika e dytë është hapja e kalimeve midis Gazës dhe Egjipitit, midis Gazës dhe Izraelit, ndërsa pika e tretë është rifillimi i menjëhershëm i ndihmave humanitare." Më herët sot Presidenti George W. Bush ka folur në telefon për krizën në Gaza me liderin palestinez Abu Mazen (Mahmud Abbas) e me presidentin egjiptian Hosni Mubarak. Presidenti amerikan Bush ka folur për një armëpushim afatgjatë në Gaza, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Gordon Johndroe.

Opozita në Itali ka kërkuar që Hamas të përfshihet në procesin e paqes. Brazili ka kërkuar një konferencë ndërkombëtare të paqes. Nicolas Sarkozy do të presë të enjten ministren e Jashtme izraelit, Tzipi Livni, në Elizè. Dje ai kishte një bisedë telefonike me Hosni Mubarak. Ministri i Jashtëm gjerman, pas një bisede telefonike me Ministrin Izraelit të Mbrojtjes Ehud Barack, ka folur për në armëpushim humanitar. Mbretëresha Rania e Jordanisë iu ka kërkuar qytetarëve të vendit të saj të grumbullojnë ndihma për Gazën, nën parullën: "Ndihmoni vëllezërit." Spanja ka premtuar 1 milionë dollarë për ndihma humanitare, Libani 1 milion dhe Kina 1 milion. Karitas, UNICEF, Organiza Botërore e Shëndetësisë kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme humanitare në Gaza. Në Egjip, Arabinë Saudite, Jemen e tjerë janë zhvilluar protesta në përkrahje të palestinezëve. Kryetarët e shteteve të gjirit kanë kërkuar paqe të menjëhershme. Edhe Katërshja botërore për Lindjen e Mesme (BE, SHBA, Rusia e OKB), në një bisedë telefonike me Ban Ki Mun, ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Qeveria e Izraelit ka thirrur nën armë rezervistët. Në orën 11 të të mërkurës mbahet mbledhja e ministrave të Jashtëm arabë.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.