VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Seancë e posaçme e parlamentit gjerman - Përkujtohen viktimat e nazizmit
E Martë, 01.27.2009, 04:43pm (GMT1)

DW - "Punoja në turnin e natës. Fabrika ishte katër kilometra larg kampit. Rruga ishte e mbuluar nga balta dhe ne shoqëroheshim nga trupat e SS-it dhe qen, që po t'u jepje urdhër, shqyenin njerëz". Ka mijëra histori si kjo që lexoi një gjimnaziste nga Berlini në parlamentin gjerman. Është një pjesë nga një libër me rrëfime të fëmijëve hebrej që kanë arritur të mbijetojnë terrorin nacionalsocialist, Holokaustin.

Por me miliona janë historitë e pashkruara të viktimave, që parlamenti gjerman, Bundestagu, i përkujtoi në një seancë të posaçme. Kryetari  Norbert Lammert tha në fjalën e hapjes se Holokausti do të mbetet një paralajmërim i përhershëm për të qëndruar vigjilentë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut:  "Ne e pranojmë përgjegjësinë. Si dëshmitarë të historisë së vendit tonë ne mbetemi të vëmendshëm ndaj çdo zhvillimi që vë në rrezik demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Si dëshmitarë të ngjarjeve që nuk duhet të kishin ndodhur kurrë, ne i kundërvihemi çdo lloj racizmi, antisemitizmi dhe urrejtjeje ndaj të huajve. Si dëshmitarë ne ua përcjellim brezit të ri mësimet që kemi nxjerrë nga historia jonë."

Presidenti gjerman, Horst Koehler, shfrytëzoi rastin për të apeluar tek bashkësia ndërkombëtare për të ndërprerë "rrethin vicioz" të dhunës në Lindjen e Mesme dhe lavdëroi angazhimin e qeverisë gjermane në rajon: "Me historinë e saj Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për Izraelin. Ne gjermanët duam që qytetarët e Izraelit të jetojnë në kufij të sigurt, pa frikë e dhunë, dhe duam që populli palestinez ta gjejë të ardhmen e tij në një shtet të aftë për të jetuar".

Në seancën përkujtimore të parlamentit gjerman mungonin përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Hebrejve. Ata këtë vit kishin vendosur të përkujtonin jashtë Bundestagut, pasi vitet e mëparshme asnjë president i tyre nuk ishte përshëndetur në fjalën e hapjes nga kryetari i Bundestagut, megjithëse të gjithë kishin qenë personalisht viktima të nacionalsocializmit. Sipas Bundestagut një gjë e tillë nuk është pjesë e protokollit. 27 janari, dita e çlirimit të kampit të përqendrimit Auzhvic-Birkenau, u shpall në vitin 1996 si dita kombëtare e përkujtimit të viktimave të nazizmit. Në vitin 2005 OKB-ja e shpalli atë ditën ndërkombëtare të përkujtimit ./Voal-online

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.