VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

OBAMA, PUTIN DISKUTOJNË PËR KRIZËN NË UKRAINË

E Premte, 03.07.2014, 08:05am (GMT1)


Ndërkohë që tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit ziejnë lidhur me Ukrainën, Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Barak Obama i tha homologut rus Vladimir Putin se veprimet e Moskës në Ukrainë përbëjnë dhunim të sovranitetit të Ukrainës.
        
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike një orëshe, gjatë së cilës zoti Obama foli për veprimet e Uashingtonit dhe aleatëve të tij në përgjigje të pranisë së trupave ruse në gadishullin e Krimesë.
        
Ky është kontakti i parë zyrtar që dihet se kanë pasur dy udhëheqësit botërorë që kur trupa ushtarake ruse u shfaqën në territorin e Ukrainës.
        
Deklarata thotë se Presidenti Obama propozoi disa zgjidhje diplomatike për ballafaqimin që, siç u shpreh ai, marrin parasysh "interesat e Rusisë, popullit të Ukrainës dhe komunitetit ndërkombëtar".
        
Në kuadër të propozimeve për zgjidhje, Presidenti Obama bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Zoti Obama bëri thirrje për kthimin e trupave ruse në bazat e tyre dhe për dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë e të gjithë ukrainasve, përfshirë banorët rusë në Ukrainë. (za)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.