VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EVROPA QENDRORE KËRKON TË IMPORTOJË GAZ AMERIKAN

E Djelë, 03.09.2014, 07:42am (GMT1)


Katër vende të Evropës qendrore u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara t'i ndihmojnë të importojnë gaz natyror amerikan, në mënyrë që të pakësojnë varësinë nga Rusia.

Ambasadorët e Republikës Ceke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë e bënë kërkesën përmes një letre në adresë të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

Ambasadorët shkruanin se gazi natyror amerikan do të ishte një import i mirëpritur në Evropën qendrore dhe lindore dhe do t'u shërbente interesave amerikane në rajon.

Mosmarrëveshjet e mëparshme lidhur me pagesat për gazin natyror mes Rusisë dhe Ukrainës patën çuar në ndërprerjen e furnizimeve me gaz. Evropa qendrore furnizohet me gaz përmes të njëjtit tubacion që ushqen edhe Ukrainën.

Rusia paralajmëroi të premten qeverinë e përkohëshme të Ukrainës se mund të ketë ndërprerje të furnizimeve si rezultat i mosshlyerjes së pagesave.

Zoti Boehner tha dje se shpreson që Presidenti Obama do të udhëzojë Sekretarin e Energjetikës të miratojë menjëherë kërkesat për eksporte të gazit amerikan në mënyrë që miqtë e Amerikës në Evropë dhe në botë të ulin varësinë nga Rusia.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.