VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RUSIA SHTON AKTIVITETIN USHTARAK PRANË UKRAINËS

E Premte, 03.14.2014, 04:49pm (GMT1)


Ushtria ruse po kryen manovra në një numër rajonesh pranë kufirit me Ukraninën, ndërkohë që agjencitë shtetërore anketuese njoftojnë se popullariteti i Presidentit Vladimir Putin është rritur.

Ajo që vlen për t'u përmendur për njoftimet e djeshme në Rusi është toni i ngjashëm mes tyre. Në mëngjes, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes faqes së saj të internetit se kishte në plan të intensifikonte manovrat ushtarake në rajonet Rostov, Belgorod, Kursk dhe Tambov, tre prej të cilëve ndodhen në kufi me Ukrainën.

Mark Galeotti është profesor i çështjeve globale në Universitetin e Nju Jorkut, i specializuar në çështjet ruse të sigurisë:

"Këto zhvillime mund të jenë shumë domethënëse, ose jo medoemos. Ato mund të jenë organizuar thjesht për të shtuar presionin mbi Ukrainën. Por nëse Rusia po shqyrton vërtetë mundësinë për operacione më të gjera ushtarake në Ukrainën lindore, këto mund të jenë sinjalet pararendëse".

Pavel Felgenhauer, opinionist për çështjet e mbrojtjes për gazetën ruse Novaya Gazeta, thotë se njoftimet publike janë edhe një mesazh taktik për simpatizantët pro-rusë në Ukrainë:

"... Ato sinjalizojnë se trupat ruse janë fare pranë dhe nëse rusët në Ukrainë e shpallin Krimenë rajon rus, atëherë Rusia mund të reagojë me shpejtësi".

Në një takim në Soçi me Këshillin e tij të Sigurisë, Presidenti Putin theksoi se Rusia nuk është shkaktare e situatës, të cilën e cilësoi si "një krizë e brendshme e Ukrainës".

Zoti Felgenhauer thotë se rusët mbështesin qëndrimin e vendosur të presidentit të tyre ndaj qeverisë së re ukrainase:

"Shumica e rusëve mbështesin Presidentin Putin si dhe mundësinë e dërgimit të trupave ruse jo vetëm në Krime, por edhe në pjesë të tjera të Ukrainës".

Rezultatet e anketave, së paku të dhënat që ofron Qendra shtetërore për Studimin e Opinionit Publik tregojnë një rritje të popullaritetit të Presidentit Putin, kryesisht falë qëndrimit agresiv ndaj Ukrainës. Dje popullariteti i tij arriti në 68% - niveli më i lartë i regjistruar që nga inaugurimi i tij në maj 2012.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.