VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PUTIN - KRIMEA ËSHTË PJESË E RUSISË

E Martë, 03.18.2014, 01:55pm (GMT1)


Presidenti rus Vladimir Putin tha se rajoni ukrainas i Krimesë ka qenë gjithmonë pjesë "e patjetërsueshme" e Rusisë - një hap tjetër ky që pritet të shkallëzojë më tej tensionet me Ukrainën dhe me Perëndimin.

Zoti Putin theksoi rëndësinë e Krimesë për Rusinë në një fjalim të mbajtur sot para parlamentit rus. Ai tha se Krimea është një rajon me rëndësi jetike për Rusinë dhe ka qënë gjithmonë pjesë e Rusisë në mendjen dhe zemrat e banorëve.

Dje ai miratoi një projekt-marrëveshje për ta bërë Krimenë pjesë të Federatës Ruse. Për të hyrë në fuqi, traktati duhet të kalojë nëpër disa procedura duke përfshirë miratimin nga parlamenti i Rusisë.

Në fjalimin me tone sfiduese për Perëndimin, Presidenti Putin tha se referendumi në Krime për bashkimin me Rusinë, është i ligjshëm dhe theksoi lidhjet historike dhe kulturore të Krimesë me Rusisnë, një rajon që iu dha Ukrainës nga ish-udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov në vitin 1954.
 
Zoti Putin tha se Gadishulli i Krimesë, ku ka bazën flota ruse e Detit të Zi, është një vend i shenjtë për Rusinë, duke shtuar se të tre popullsitë etnike atje, ukrainasit, rusët dhe tartarët do të kenë të drejta të barabarta gjuhësore.

Për të mbështetur pretendimin e tij se referendumi në Krime ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, zoti Putin përmendi pavarësinë e Kosovës nga Serbia, që u mbështet nga Perëndimi dhe u kundërshtua nga Rusia. Ai tha se shkëputja e Krimesë nga Ukraina përsërit shkëputjen e vetë Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
 
Presidenti Putin mohoi akuzat perëndimore se Rusia e pushtoi Krimenë në prag të referendumit, duke thënë se trupat ruse u dërguan atje në përputhje me një marrëveshje me Ukrainën që lejon Rusinë të ketë deri në 25.000 trupa në bazën e saj në Krime.

Gjatë fjalimit ai kritikoi udhdëheqësit e rinj të Ukrainës, duke thënë se ata i kanë hapur rrugën "neo-nazizmit".

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ndodhet sot në Poloni për bisedime me aleatët rajonalë të shqetësuar nga inkursioni ushtarak i Rusisë në Krime. Zoti Biden po takohet me udhëheqësit e Polonisë dhe të shteteve baltike, Estoni, Lituani dhe Letoni.

Pas shumë paralajmërimeve, Uashingtoni dhe Brukseli vendosën dje sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarve rusë të hënën për mbështetjen që ata i dhanë referendumit në Krime.

Pas shumë paralajmërimeve, Uashingtoni dhe Brukseli vendosën dje sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarve rusë të hënën për mbështetjen që ata i dhanë referendumit në Krime.

Ministri i Jashtëm i Francës hodhi dyshime rreth pjesëmarrjes së Rusisë në Grupin e tetë fuqive botërore për shkak të inkursionit të saj në Krime, duke thënë se anëtarët e tjerë të tetëshes janë të gatshëm për t'u mbledhur pa Moskën.
 
Vende të tjera të G-8s, thanë se ende nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me të ardhmen e Rusisë në këtë grup. Kjo është një çështje e ndjeshme sidomos tani që Rusia ka kryesinë e rradhës të G8-s.

Ishte planifikuar që Rusia të priste presidentin Barak Obama dhe udhëheqës të tjerë për një takim të nivelit të lartë në Soçi në muajin qershor, por në klimën e tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën, anëtarët e tjerë të grupit i kanë pezulluar përgatitjet për takimin.(za)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.