VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JOHN BELLINGER - REFERENDUMI I KRIMESË ISHTE I PALIGJSHËM

E Mërkurë, 03.19.2014, 07:50am (GMT1)


Referendumi për shkëputjen e Krimesë është një nga shumë shembujt e një rajoni apo territori që përpiqet të ndahet nga vendi të cilit i takon. Ekspertët thonë se disa lëvizje separatiste mbështeten nga ligji ndërkombëtar, por shumë të tjera jo. Michael Bowman i Zërit të Amerikës foli me një ekspert amerikan të së drejtës, i cili thotë se referendumi i Krimesë ishte i paligjshëm, dhe po ashtu aneksimi i saj nga Rusia.
 
Në mbarë botën, ka shumë vende ku shumica favorizon shkëputjen. Por shumë raste nuk përmbushin standartet ndërkombëtare ligjore për ta bërë një gjë të tillë, thotë John Bellinger, i cili ka punuar si avokat në Departamentin e Shtetit në administratën e presidentit Bush;
 
"Ndërsa ligji ndërkombëtar në përgjithësi flet për të drejtën e vetë-vendosjes, në përgjithësi ligji ndërkombëtar preferon parimin e integritetit territorial të shteteve dhe njeh vetëm të drejtën e një populli apo grupit të shkëputet nga një shtet më i madh në rrethana shumë të kufizuara. Për shembull, nëse qeveria e një shteti më të madh i ka mohuar këtij grupi njerëzish të drejtat e tyre brenda vendit ose ka kryer shkelje massive të të drejtave."
 
Bellinger thekson se çfarëdo shqetësimesh që krimeasit pro-rusë mund të kenë rreth trajtimit të tyre nga qeveria e re e Ukrainës, nuk ka patur shkelje të mëdha të dokumentuara ndaj tyre. Me fjalë të tjera shkëputja e Krimesë është tërësisht e parakohshme.
 
Moska thotë se Krimea ka qënë dikur pjesë e Rusisë dhe se ndjenja popullore në Krime është pro-ruse. Sipas zotit Bellinger, asnjëra nga këto arsye nuk e justifikon ligjërisht shkëputjen:
 
"Faktet historike apo vullneti i popullit në Krime, nuk përputhen me përkufizimin e ligjit ndërkombëtar. Përndryshe sistemi ndërkombëtar do të fragmentohej dhe nuk do të funksiononte."
 
Zoti Bellinger thotë se ndarja e Krimesë mund të inkurajojë grupe të tjera, si në Spanjë, në Qipro, Azinë Lindore dhe më tej.
 
Rusia e krahason shkëputjen e Krimesë me rastin e Kosovës që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Zoti Bellinger thotë se të dyja rastet janë shumë të ndryshme:
 
"Kosova ishte një situatë e veçantë, pjesë e ish-Jugosllavisë së shpërbërë. Kosova ishte nën vëzhgimin e OKB-së dhe rezolutës së Këshillit të Sigurimit për mëse një dekadë. Populli kosovar ishte subjekt i shkeljeve masive të të drejtave të njeriut  nga serbët. Dhe pas një periudhe të gjatë për të qetësuar situatën, një i dërguar i posaçëm i OKBsë rekomandoi pavarësinë e Kosovës. Asnjë nga këto kushte nuk është e pranishme në Krime."
 
Zoti Bellinger thotë se zbatimi i ligjit ndërkombëtar mund të jetë i vështirë duke përmendur të drejtën e vetos nga Rusia që ajo e ushtroi ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që do ta shpallte referendumin e Krimesë të pavlefshëm. Ai theksoi se një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme ku dënohet referendumi do të ishte jo e detyrueshme ligjërisht, ashtu si çdo reference e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.