VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RUSIA KUNDËRPËRGJIGJET NDAJ SANKSIONEVE AMERIKANE

E Enjte, 03.20.2014, 06:46pm (GMT1)


Rusia iu kundërpërgjigj Shteteve të Bashkuara me sanksionet e veta duke njoftuar se nuk do të lejonte hyrjen në Rusi të 9 zyrtarëve amerikanë.

Lista përfshin emrat e ndihmësve të presidentit Barack Obama, të një ligjvënësi dhe të pesë senatorëve, mes të cilëve, senatori John McCain.

Ndërkohë, Presidenti Putin u bëri thirrje sot biznesmenëve më të pasur të Rusisë t'i sjellin pasuritë e tyre brenda dhe të ndihmojnë vendin t'i shpëtojë dëmit të sanksioneve perëndimore, për shkak të Krimesë.

Disa prej kompanive më të mëdha ruse janë të regjistruara si biznese jashtë, për të përfituar nga taksat e ulta. Në një takim me një grup biznesmenësh nga më të pasurit e Rusisë, zoti Putin theksoi se transferimi i bizneseve në Rusi do të ishte edhe në interes të tyre.

Në të kaluarën presidenti Putin i luftoi biznesmenët që u pasuruan gjatë kohës së Presidentit Yeltsin, duke i detyruar ata ta zhvendosnin biznesin jashtë Rusisë, ose ata që mbetën, i detyroi të mos merreshin me politikë.

Ndërkohë disa biznesmenë të tjerë, të afërt me të, dominojnë sot ekonominë ruse dhe janë bërë ndër më të pasurit e Rusisë. (za)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.