VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EKSPERTËT - TERRORISTËT PO MËSOJNË NGA DEBATET PËR AVIONIN

E Shtunë, 03.22.2014, 11:09am (GMT1)


Për gati dy javë, mediat e çdo formati dhe njerëz në mbarë botën kanë diskutuar skenarë të mundshëm për zhdukjen e aeroplanit malajzian. Por disa ekspertë mendojnë se në mënyrë të pavetëdijshme kështu po i jepen informacione të panjohura më parë terroristëve të mundshëm.
 
Për zhdukjen e avionit të Malaysia Airlines janë dhënë hipoteza të ndryshme. Informacioni i diskutuar është krahasuar me mësimet e lëndës së njohurive bazë të aviacionit, me detaje mbi radarët, satelitët, sigurinë e pasaportave, veçoritë e avionëve Boeing 777 dhe të komunikimit ndërkombëtar.
Edhe terroristët kanë mbajtur shënime. Këtë e thotë John Goglia, i cili ka punuar në fushën e aviaciont për 40 vite, shumë prej të cilave me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit.

"Kjo ka qenë frika ime që në fillim, se kanë dalë shumë informacione të cilat ata mund t'i dinin por mund edhe të mos i kenë ditur. Pra terroristët janë duke u bërë të sofistikuar, po arsimohen prej informacioneve. Po njohin sistemin."

Grupet terroriste të organizuara kanë vërtetuar se e njohin sistemin. Ata arrijnë të lokalizojnë transponderat, gjejnë hapësira në mbulimin e radarëve dhe shfrytëzojnë rastet kur masat e sigurisë janë të pamjaftueshme. Disa ekspertë shqetësohen më tepër për terroristët amatorë.

Jonah Blank është ekspert i anti-terrorizmit me Korporatën Rand.

 "Këto janë gjëra që grupet profesioniste si al-Kaida tashmë i dinë. Megjithatë, këto janë gjëra që jo çdo 23-vjeçar i pakënaqur i di. Tani i dinë shumë më tepër prej tyre."

Por zoti Blank thotë se një pjesë e madhe e atij informacioni mund të gjehej dhe në internet ose në një manual fluturimi.
Ekspertë të tjerë nuk i vlerësojnë shumë terroristët. Max Abrahms, profesor i terrorizmit në Universitetin Northeastern, foli përmes Skype-it.

"Nëse shikoni të dhënat mbi vendimet taktike të terroristëve, do të vini re se taktikat që ata përdorin nuk janë shumë inovative. Ata kanë prirje të përsërisin të njëjtat taktika bazë, ato gjëra që kanë përdorur për dekada me radhë."

Zoti Abrahms thotë se al-Kaida nuk është më një kërcënim aq i madh sa më parë, që kur ka hequr dorë nga sulmet në shkallë të gjerë dhe është përqëndruar në akte individuale terrorizmi lokal. (za)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.