VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MARATONA E BOSTONIT - MË SHUMË PJESËMARRËS SË VJET

E Hënë, 04.21.2014, 08:14pm (GMT1)


Sot në Boston zhvillohet maratona e përvitshme, një vit pasi një sulm me bomba pranë vijës së finishit prishi një nga ngjarjet më prestigjioze të garave të vrapit.

Këtë vit në maratonë po marrin pjesë një numër edhe më i madh njerëzish se sa zakonisht, janë regjistruar rreth 36 mijë vetë. Vitin e kaluar numri i pjesëmarrësve ishte 27 mijë.

Organizatorët kanë shtuar masat e sigurisë, përgjatë rrugës ku zhvillohet gara janë vendosur kamera, si dhe mijëra police e qindra trupa të Gardës Kombëtare.
 
Në garën e vrapimit për burra marrin pjesë 5 nga 6 kampionët e vitit të kaluar, përfshirë kampionin Lelisa Desisa nga Etiopia.
 
Në garën e femrave, Rita Jeptoo nga Kenya do të përpiqet të përsërisë fitoren e saj të vitit 2013.
 
Disa mijëra vrapues që e filluan garën e vitit të kaluar, por që nuk patën mundësi ta përfundojnë atë, janë ftuar të marrin pjesë përsëri këtë vit.

Dy bombat shpërthyen vitin e kaluar, pranë vijës së finishit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 260 të tjerë.
 
Autoritetet fajësuan vëllezërit çeçenë Tamerlan and Dzhokhar Tsarnaev për sulmin. Tamerlan u vra gjatë operacinit për kapjen e tij, në një shkëmbim zjarri me policinë, ndërsa Dzhokhar u arrestua në periferi të Bostonit. Ai pritet të dalë në gjyq në nëntor, ku do të përballet me akuza, që mund të çojnë në dënimin e tij me vdekje, në se shpallet fajtor.
za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.