VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

IZRAELI FILLON OFENSIVËN TOKËSORE NË GAZË

E Premte, 07.18.2014, 06:01am (GMT1)


Izraeli filloi ofensivën tokësore në Rripin e Gazës, që synon të ndalë sulmet me raketë të palestinezëve, pas 10 ditë luftimesh intensive mes Izraelit dhe Hamasit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria ishte instruktuar ta fillonte operacionin të enjten në mbrëmje, me synimin e shkatërrimit të "tuneleve të terrorit" që çojnë nga Gaza për në Izrael.

Në një deklaratë thuhej se synimi i operacionit është kthimi i paqes për qytetarët izraelitë dhe një goditje e rëndë ndaj Hamasit, që ka kontrollin e Rrupit të Gazës.

Sipas njoftimeve, në qytetin e Gazës mbrëmë vonë u ndërpre energjia elektrike.

Hamasi tha se Izraeli do të vuajë pasoja të tmerrshme për kryerjen e ofensivës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i bëri thirrje Izraelit të përpiqet të shmangë viktimat mes civilëve. Ai tha se një konflikt i rrezikshëm tanë është shkallëzuar më tej.

Të enjten ushtria izraelite tha se kishte ndalur një sulm të 13 anëtarëve të armatosur të Hamasit, të cilët po përpiqeshin të hynin në Izraelin jugor përmes një tuneli.

Mijëra ushtarë izraelitë janë grumbulluar këto ditët e fundit përgjatë kufirit me Gazën, në prag të ofensivës tokësore. Të enjten ushtria izraelite tha se do të mobilizoheshin 18 mijë ushtarë rezervistë, për t'iu bashkuar dhjetra mijëra të tjerëve që janë në gatishmëri.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.