VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRLESHJE MES PROTESTUESVE PALESTINEZË DHE TRUPAVE IZRAELITE

E Premte, 07.25.2014, 07:26pm (GMT1)



Protestuesit palestineze u përleshën sot me trupat izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor. Sipas zyrtarëve të spitaleve, dy palestinezë kanë humbur jetën nga plagët në fshatin Hawara të Bregut Perëndimor. Mijëra demonstrues marshuan gjatë natës në solidaritet me Gazën,  protestë që, sipas vëzhguesve ishte më e madhja në Bregun Perëndimor  gjatë një dekade. Ndërkohë, avionët izraelitë goditën sot në mëngjes 30 shtëpi në Rripin e Gazës, ndërsa militantët vazhduan të hedhin në Izrael raketa, njëra prej të cilave ra në një ndërtesë banimi në Ashkelon.

Izraeli goditi sot një komandë ushtarake të Hamasit, ku u vra një udhëheqës i grupit militant 'Xhihadi islamik' dhe dy nga djemtë e tij.

Ndërkohë, trupat izraelite në terren dhe persona të armatosur të Hamasit zhvilluan luftime intensive në qendër dhe në veri të Gazës, sipas zyrtarëve palestinezë.

Në ditën e 18 të luftimeve, kabineti Izraelit i sigurimit po mblidhet për të shqyrtuar propozimet ndërkombëtare për armëpushim, tha një zyrtar  izraelit i mbrojtjes.

Mark Regev, zëdhënës i kryeministrit izraelit, fajësoi Hamasin për vonesat në arritjen e marrëveshjes për armëpushim.

"Ne i thamë po një propozimi të Egjiptit për armëpushim, një propozim me mbështetje të madhe ndërkombëtare, nga Kombet e Bashkuara nga Lidhja Arabe dhe të tjerët, ne e pranuam atë ndërsa Hamasi e hodhi poshtë. Më vonë pranuam propozimet e OKB-së dhe Kryqit të Kuq. Edhe një herë Hamasi ose i hodhi poshtë propozimet ose e shkeli armëpushimin," tha zëdhënësi.

Ai tha se udhëheqja e Hamasit ishte "direkt përgjegjës për vazhdimin e gjakderdhjes dhe për viktimat nga të dy anët."

Ndërkohë, dy kompani të mëdha ajrore gjermane thanë se ende nuk janë gati të rifillojnë fluturimet për në Izrael, edhe pse Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit ka hequr rekomandimin që kompanitë ajrore të mos fluturojnë për në aeroportin e Tel Avivit.

Njëra prej tyre, Lufthansa, tha se të gjitha fluturimet janë anuluar për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë pasi një raketë e lëshuar nga Gaza ra në afërsi të aeroportit ndërkombëtar Ben Gurion.

Anulimet e fluturimeve nga Lufthansa vlejnë edhe për disa kompani të tjera që janë degë të saj. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.