VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË I PLAGOSUR, SHTATË TË ARRESTUAR NË FERGUSON

E Djelë, 08.17.2014, 03:49pm (GMT1)



Autoritetet thonë se një person u plagos rëndë dhe shtatë të tjerë u arrestuan sot në mëngjes në qytetin Ferguson të shtetit Mizuri, ndërkohë që policia përdori bomba tymi dhe gaz lotsjellës për të zbatuar ndalim-qarkullimin.

Qyteti Ferguson ka tërhequr vemendjen për ngjarjen e 9 gushtit, kur një adoleshent afrikano-amerikan u vra nga një polic i bardhë.

Guvernatori i Mizurit, Jay Nixon, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndalim-qarkullimin pas trazirave që kanë zgjatur disa net pas vrasjes së të riut.

Zoti Nixon tha dje se gjendja e jashtëzakonshme nuk u vendos për t'u mbyllur gojën njerëzve, por për të frenuar një pjesë të vogël grabitësish, të cilët po rrezikojnë të gjithë komunitetin.

Ai falenderoi gjithashtu qytetarët që u përpoqën të ndalin grabitësit, të cilët nisën të vidhnin mallra nga dyqanet.

Në një konferencë shtypi, guvernatori Nixon tha se ai është i përkushtuar që të mbizotërojnë forcat e paqes dhe të drejtësisë.

 

PUBLIKIMI I VIDEOS DHE RRJEDHA E NGJARJEVE

Të premten mbrëma qyteti Ferguson u përfshi nga dhuna. Dhuna shpërtheu pasi policia e Fergusonit publikoi njoftimet, mes tyre edhe një video, që tregonte se Michael Brown ishte përfshirë në një vjedhje, si dhe konfrontimin e tij me një shitës dyqani, pak para se Brown të vritej.

Turmat ishin mbledhur të premten pranë dyqanit. Disa nga protestuesit u shkëputën nga grupi i madh dhe plaçkitën disa dyqane, ndërsa demonstrues të tjerë u thanë atyre të ndalonin.

Disa nga protestuesit hodhën shishe dhe objekte të tjera  në drejtim të policisë, që mbërriti në vendin e ngjarjes.

Incidenti ndodhi edhe pse familja e Brown-it bëri thirrje për qetësi. Të premten, shefi i policisë, Thomas Jackson, tha se polici që e kishte vrarë Brown-in, fillimisht e kishte ndalur atë, ngaqë adoleshenti po bllokonte trafikun, ndërsa kalonte rrugën. Më vonë policia tha se oficeri i policisë nuk e dinte se Brown dyshohej për vjedhje.

Shefi i policisë Jackson tha se oficeri i policisë ishte Darren Wilson, një veteran prej 6 vjetësh i forcës policore, që nuk kishte marrë ndonjëherë vërejtje disiplinore. Që nga dita kur ai qëlloi dhe vrau adoleshentin, Wilson është me leje administrative.

Shefi i policisë Jackson e karakterizoi Wilsonin si "një burrë i qetë", i cili "asnjëherë nuk kishte patur si qëllim të ndodhte ajo që ndodhi".

Incidenti është bërë shkas për manifestime të heshtura nga mijëra njerëz në mbarë Shtetet e Bashkuara.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.