VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UKRAINA KËRKON ANËTARËSIM NË NATO

E Shtunë, 08.30.2014, 02:42pm (GMT1)

Ukraina njoftoi të premten se kërkon të anëtarësohet në NATO, ndërsa në konfliktin disa mujor me separatistët pro-rusë është hapur një front i tretë.

Kievi kërkon ndihmë ushtarake nga Perëndimi, ndërsa vazhdon të luftojë me rebelët në kufirin lindor të vendit , ku separatistët duket se kanë marrë kontrollin e qytetit Novoazovsk, pas tri ditë luftimesh.  

Presidenti rus Vladimir Putin, të cilin udhëheqësit evropianë dhe ata amerikanë e akuzojnë se mbështet separatistët, e akuzon Ukrainën për shtypjen e kundërshtarëve të vet në lindje të vendit.

Ai po ashtu e krahasoi përpjekjen e Kievit për të rimarrë kontrollin e rajoneve kufitare me Rusinë nga forcat rebele, me pushtimin nazist të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

NATO thotë se rreth 1 mijë trupa ruse po kryejnë "operacione ushtarake të paligjshme" në Ukrainë. 

Rusia vazhdimisht ka mohuar se dërgon trupa në Ukrainë, apo se furnizon me armë rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.

President Barack Obama shkon javën e ardhshme në një takim të NATO-s në Wells, ku do të diskutohet lidhur me bashkëpunimin kundër veprimeve të Rusisë ndaj territorit ukrainas.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.