VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DREJTORI I FBI - GRUPI KHORASAN MUND TË JETË DUKE PLANIFIKUAR SULME

E Premte, 09.26.2014, 08:54am (GMT1)



Një zyrtar i lartë amerikan thotë se ende mund të jenë duke u organizuar komplote terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, megjithë sulmet ajrore të kësaj jave kundër celulës së al-Qaidës, të njohur si Khorasan.

Drejtori i FBI-së James Comey i tha të enjten gazetarëve në Uashington, se ai nuk mendon që sulmet e koalicionit nën udhëheqjen e SHBA i kanë prishur planet e grupit Khorasan.

Zoti Comey tha se ky grup mbetet në krye të listës së FBI-së për terrorizimin. Ai ka në radhët e veta veteranë të al-Qaidës nga Afganistani dhe Pakistani, sipas zotit Comey.

Drejtori i FBI-së tha po ashtu, se SHBA besojnë se kanë identifikuar një nga ekzekutorët e grupit Shteti Islamik - burrin që e kishte mbuluar fytyrën me një thes të zi kur fliste me theks britanik në videot që qarkulloi grupi terrorist, ku paraqiteshin vrasjet me prerje koke të dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi britanik ndihmash.

Zoti Comey nuk e bëri të njohur emrin e ekzekutorit dhe as nuk tha se ai i kishte kryer vetë vrasjet. Zyrtarët britanikë kanë thënë se ishin pranë identifimit të burrit me maskë.

Rreth 12 shtetas amerikanë mendohet se ndodhen në Siri për të luftuar krahas me grupin ekstremist, tha zoti Comey, duke shtuar se mbi 100 amerikanë janë diktuar, janë arrestuar gjatë përpjekjeve për të shkuar në Siri, ose janë kthyer në SHBA, pasi kanë marrë pjesë në konfliktin sirian. Drejtori i FBI-së tha se ata që janë kthyer në SHBA pasi kanë luftuar me grupe ekstremiste janë nën hetim, nën vëzhgim, ose janë arrestuar.

Zoti Comey tha se ka rrezik që brenda në SHBA të kryhen sulme terroriste nga mbështetësit e Shtetit Islamik.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.