VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NËNPRESIDENTI BIDEN E PËRFUNDOI VIZITËN NË TURQI

E Hënë, 11.24.2014, 08:29am (GMT1)


Nënpresidenti amerikan Joe Biden dje i dha fund misionit të tij treditor diplomatik në Turqi, pa ndonjë njoftim për angazhim nga udhëheqësit e këtij vendi për të mbështetur një koalicion të udhëhequr nga amerikanët në përpjekjet për të mundur militantët e Shtetit Islamik.

Nënpresidenti Biden tha dje se ai dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kanë biseduar mbi shkatërrimin e bazave të militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Zoti Biden tha se ata kanë diskutuar edhe mbi përpjekjet e presidentit sirian Bashar al-Asad për të qëndruar në pushtet.

"Ne diskutuam në thellësi mbi një gamë të gjërë çështjesh dhe alternativat që kemi për t'i trajtuar ato. Jo vetëm për shkatërrimin e strehëve të sigurta të ISIL-it, zbrapsjen dhe mundjen e tyre, por edhe për forcimin e opozitës siriane dhe përpjekjet për një tranzicion politik pa regjimin e Asadit".

Në të kaluarën, zoti Erdogan ka insistuar që nëse Shtetet e Bashkuara duan ndihmën turke, ato duhet të fokusohen më pak në luftën ndaj ekstremistëve dhe më shumë në rrëzimin e regjimit të Asadit.

Dje, ai tha se Turqia do të vazhdojë të punojë nga afër me Shtetet e Bashkuara, dhe e quajti "domethënëse" vizitën e nënpresidentit Biden.

Nënpresidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Turqinë për t'u përballur me krizën humanitare të krijuar nga 1.6 milion refugjatë sirianë që kanë vërshuar në kampet turke të refugjatëve.
 
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.