VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JURIA NË FERGUSON VENDOS TË MOS NGREJË AKUZA

E Martë, 11.25.2014, 09:20am (GMT1)



Juria në shtetin e Mizurit, pas shqyrtimit të provave dhe të dëshmive, në një proces që zgjati disa muaj, vendosi të mos ngrejë akuza ndaj oficerit Darren Wilson, policit të bardhë, që vrau Michael Brown-in,  të riun e paarmatosur afrikano-amerikan, gjatë një ballafaqimi me të në rrugë, katër muaj më parë.

Njoftimi u dha të hënën në mbrëmje vonë, pas disa ditë pritjesh të ethshme në mbarë vendin.

"Pas një analize të hollësishme të të dhënave", anëtarët e jurisë vendosën se nuk ekziston shkak i mundshëm për ngritjen e akuzave ndaj oficerit Wilson, tha prokurori Robert P. McCullogh, duke folur para gjykatës në distriktin Clayton.

Qindra banorë ishin mbledhur në rrugët e qytetit Fergoson, ku ndodhi vrasja e 18 vjecarit, në pritje të vendimit të jurisë.

Situata në qytet është e tensionuar. Pas vendimit, disa makinave të policisë iu vu zjarri. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Prokurori  McCullogh tha se anëtarët e jurisë dëgjuan mbi 70 orë dëshmi dhe analizuan një sasi të madhe të dhënash. Të dhënat dhe dëshmitë u bënë publike pas përfundimit të konferencës së shtypit.

Familja e të riut të vrarë, lëshoi një deklaratë ku shpreh "zhgënjim të thellë" me vendimin.

Avokatët e oficerit të policisë thanë se juria ra dakort se veprimet e policit ishin në përputhje me ligjet dhe rregulloret e policisë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.