VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PARIS - SULM REVISTËS SATIRIKE, TË PAKTËN 12 TË VRARË

E Mërkurë, 01.07.2015, 04:01pm (GMT1)


Policia franceze njofton se të paktën 12 persona u vranë gjatë të shtënave në zyrat e gazetës së përjavshme satirike Charlie Hebdo në Paris.

Sipas njoftimeve të shtypit të paktën dy persona të armatosur hapën zjarr me automatikë dhe një raketalëshues brenda ndërtesës, ku gjenden zyrat e gazetës. Besohet se autorët e sulmit u larguan me dy makina.

Sipas njoftimeve, redaksia ishte në mbledhje kur ndodhi incidenti.

Drejtori i gazetës Stéphane Charbonnier dhe të paktën 3 karikaturistë u vranë. Sipas njoftimeve, mes të vrarëve ishin edhe dy policë.

Presidenti francez Francois Hollande e quajti sulmin një akt terrorist. Ai tha se asnjë sulm terrorist nuk do ta shuajë lirinë e shtypit.

Franca ka rritur gatishmërinë kundër terrorizmit në shkallën më të lartë.

E njohur për stilin e saj mjaft të hapur, kjo gazetë e majtë komenton shpesh për fenë dhe kulturën. Ajo kishte botuar sot në mediat sociale një karikaturë satirike të udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ku ai paraqitet si njeriu që uron mirëqenie për vitin e ri.

Në vitin 2011 zyrat e gazetës u sulmuan me bombë me benzinë pas botimit prej saj të një karikature të profetit Muhamed.

Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin e sotëm. Në një deklaratë me shkrim, presidenti Barack Obama shprehu ngushëllime për viktimat. Ai tha se Franca është aleati më i vjetër i Amerikës, dhe ka qendruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terroristëve të cilët kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët dhe botën.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara do të japin çdo ndihmë të nevojshme për t'i sjellë terroristët para drejtësisë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.