VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
GRATË JAZIDI FLASIN MBI RRËMBIMET E ISIS-it E Premte, 02.27.2015, 07:19am (GMT1) Kur militantët e Shtetit Islamik pushtuan pjesë të Irakut të veriut gjashtë muaj më parë, një nga zonat më të goditura ishte ajo e Jazidëve, një pakicë etnike-fetare që jeton përreth Sinxharit. Militantët thuhet se vranë mijëra burra dhe rrëmbyen gratë e fëmijët. Disa vajza arritën të shpëtonin nga duart e tyre. Kampi Ba'adra në Irakun verior, është strehë e rreth 15 mijë të zhvendosurve të pakicës Jazidi. Mijëra të tjerë janë duke u mbajtur rob nga militantët e Shtetit Islamik. Tetëmbëdhjetë vjeçarja Soham Mohamed u arratis pas gjashtë muajsh në robëri. Ajo ra dakord të fliste nëse nuk zbulohej fytyra dhe emri i saj i vërtetë. Ajo thotë se Shteti Islamik pushtoi fshatin e saj në gusht dhe mori të gjithë burrat: "Ata na ndanë me forcë nga nënat tona, mua dhe gjashtë vajza të tjera, dhe na dërguan në një shtëpi në Tal Afar. Ushqimi nuk ishte i mirë. Pas një muaji dy djemë erdhën, zgjodhën disa nga ne dhe na çuan në një shtëpi në Mosul". Soham u përdhunua dhe u rrah disa herë deri para një muaji, kur ajo arriti të ikte nga duart e militantëve. Ajo thotë se vrapoi gjithë natën deri sa gjeti një familje që e strehoi atë. Më vonë ata kontaktuan xhaxhain e saj i cili e shpëtoi. Luftëtarët e Shtetit Islamik vranë rreth 1.700 njerëz në fshatin Koço. Më shumë se 100 gra të reja u ndanë dhe u dërguan në një shtëpi në Raka, në Sirinë veriore, thotë 22 vjeçarja Sara Hussein. Militantët menjehërë dolën për t'i marrë ato: "Çdo luftëtar blinte një vajzë për vete. Ata erdhën për të na blerë dhe për të na konvertuar në fenë islame. Na përdhunuan dhe nuk na jepnin ushqim. Askush nuk u kursye. Nëse njëra nga ne rezistonte ata i godisnin të gjithë, duke u thyer duart dhe kokat. Ne nuk mund të bënim asgjë. Nganjëherë tre burra dhunonin një vajzë". Sara Hussein është e zemëruar nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, që ajo ajo thotë se ishte tepër i vonuar: "Të gjitha vendet e mëdha po sulmojnë Shtetin Islamik, Amerika, Arabia Saudite, Australia, Franca, por ato nuk kujdesen për ne. Atyre u intereson vetëm nafta e Irakut. Nëse ata duan të na ndihmojnë ata do të lironin njerëzit tanë të rrëmbyer". Sara Husein u arratis në nëntor. Ajo dëshiron të dëshmojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet që janë bërë ndaj komunitetit të saj.za www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |