Policia
në Teksas ka vrarë dy persona të armatosur, të cilët kanë hapur zjarr
të dielën para një ekspozite të karikaturave të profetit Muhamed, që
është organizuar nga një grup anti-islamik në Garland të Teksasit.
Sulmi me armë zjarri në periferinë e Dallasit ishte jehonë e sulmeve
dhe kërcënimeve të kaluara në shtete të tjera të perëndimit kundër
portretizimit të profetit Muhamed.
Në janar, persona të armatosur vranë 12 persona në Paris, në zyrat e
revistës satirike "Charlie Hebdo", si hakmarrje për karikaturat e
revistës me profetin Muhamed.
Sulmi i së dielës ka ndodhur pak para orës 7 të mbrëmjes, sipas
llogaritjes së orës në Teksas, në një vend parkimi në qendrën "Curtis
Culwell", një arenë e mbyllur në periferi të Garlandit, verilindje të
Dallasit.
Politikani kontravers holandez dhe aktivisti kundër islamik, Geert Wilders,
i cili gjithashtu është pjesë e një liste të Al Kaidës për t'u vrarë,
ka qenë në mesin e atyre që do të mbante fjalim në këtë ngjarje.
Policia ka thënë se nuk kanë identifikuar menjëherë dy personat e
armatosur apo nëse ata janë të lidhur me kritikët e ngjarjes, të cilët e
kanë quajtur atë si kundër-islamit.
Si masë paraprake, një ekip për çarmatosjen e bombave është thirrur
në vendin e ngjarjes për të kontrolluar veturën e sulmuesve në rast se
brenda ka mjete shpërthyese.
Zona afër objektit ku mbahej aktiviteti është evakuuar, ka thënë për agjencinë Reuters, zëdhënësi i policisë së qytetit, Joe Harn.
Ekspozita është organizuar nga Pamela Geller, presidente e Iniciativës Amerikane për Mbrojtje të Lirisë (AFDI).
Organizata e saj e cila përshkruhet si grup që nxit urrejtje, deri më
tash ka sponsoruar fushata rekalamash që janë konsideruar kundër
islamike.
Organizatorët e "Garës dhe Ekspozitës së Muhamedit" kanë thënë se kjo ngjarje promovon lirinë e shprehjes.
Ata kanë ofruar 10 mijë euro për punimin më të mirë artistik apo
karikaturën që e portretizon profetin, si dhe 2500 dollarë për atë që e
pëlqen publiku më së shumti.
Portretizimet e profetit Muhamed, sipas myslimanëve janë ofenduese,
dhe për këtë arti perëndimor që e ka bërë këtë, rregullisht ka zemëruar
myslimanët, ndërsa ka provokuar kërcënime nga radikalët, shkruan më tej
Reuters.
Në incidentin e së dielës, të dy të dyshuarit kanë udhëtuar deri te
ndërtesa ku ekspozita ishte afër fundit të saj dhe kanë filluar të
gjuajnë me armë automatike në drejtim të një oficeri të paarmatosur të
sigurisë duke e plagosur në këmbë, thonë zyrtarë të policisë.
Policia e Garlandit ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve dhe i ka vrarë ata, ka thënë Harn.
Oficeri i plagosur është trajtuar në spital dhe më pas është liruar, ka thënë më tej zëdhënësi i policisë së këtij qyteti.
"I dyshuari i parë është qëlluar menjëherë. I dyshuari i dytë
është qëlluar dhe lënduar. Ai ka arritur te çanta e tij. Natyrisht,
oficerët, duke mos e ditur se çfarë kishte në çantë, e kanë qëlluar
sërish. Me këtë ai është vrarë", i ka thënë televizionit amerikan, CNN, kryebashkiaku i Garlandit, Douglas Athas.
Athas thotë se ka qenë i shqetësuar për rrezikun që përmban një
aktivitet i tillë, porse gara dhe ekspozita është lejuar pasi kështu
mbrohet kushtetuta amerikane.(rel)