VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
LISBONË - BERISHA TAKON OBAMËN, PRESIDENTI AMERIKAN SHFAQ INTERES PËR KURSIN REFORMATOR TË QEVERISË DHE PËR POTENCIALET TURISTIKE TË SHQIPËRISË E Djelë, 11.21.2010, 08:49am (GMT1) Samiti i NATO-s, Berisha: Shqipëria, angazhim konkret në të gjitha operacionet e Aleancës në luftën kundër terrorizmit Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Lisbonë, mori pjesë sot paradite në takimin për Afganistanin të zhvilluar në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës. Pjesëmarrjes në këtë takim ishin edhe Presidenti Afgan z. Hamid Karzai, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki Moon, Presidenti i Këshillit Evropian z. Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Evropian z. José Manuel Barroso, etj. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, përshëndeti progresin e shënuar gjatë kësaj periudhe në Afganistan dhe vlerësoi se procesi i demokratizimit të këtij vendi është një ndër çështjet më të rëndësishme për tu zgjidhur të kohës sonë, për komunitetin euroatlantik e më gjerë. Duke folur për kontributin e Shqipërisë, Kryeministri Berisha u shpreh se ajo ka rritur prezencën ushtarake në Afganistan dhe, njëkohësisht, po punon për të zgjeruar këtë kontribut në fushën e arsimit, shëndetësisë, etj. Në përfundim të këtij takimi u miratua një deklaratë e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve që kontribuan në forcën ISAF. Vendet pjesëmarrëse në ISAF konfirmuan angazhimin e tyre të vazhdueshëm në stabilitetin dhe sigurinë në Afganistan. Gjatë pjesëmarrjes në punimet e Samitit, Kryeministri Berisha është takuar me shumë personalitete, pjesëmarrës në këtë takim, si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Anders Fogh Rasmussen, Presidenti amerikan z. Barak Obama, Kancelarja gjermane znj. Angela Merkel, Kryeministri italian z. Silvio Berluskonin, Kryeministri i Belgjikës z. Yves Leterme, ministri i Jashtëm i Anglisë, Presidentin çek Václav Klaus, ministri i Jashtëm italian z. Franco Fratini, Presidenti i Komisionit Evropian z. José Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit Evropian z. Herman Van Rompuy, Kryeministri spanjoll José Luis RodrÃguez Zapatero, Kryeministrin britanik David Cameron, Presidentin e Letonisë, Kryeministrin holandez z. Mark Rutte, etj. Pas pjesëmarrjes në takimin për Afganistanin, Kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat shqiptare, të pranishme në këtë Samit, ku u shpreh: Qëndrimi i Shqipërisë është në mbështetje të plotë të konceptit të ri strategjik, i cili synon të përshtatë NATO-n në përballje të suksesshme me rreziqet e vjetra, rreziqet ekzistuese dhe rreziqet e ardhshme për paqen, stabilitetin në hapësirën e NATO-s dhe në botë. Ky koncept parashikon reforma dhe riorganizim të strukturave ushtarake dhe civile të saj, parashikon përqendrim më të madh në rreziqet më kryesore, përcakton terrorizmin, kiberterrorizmin, problemet e energjisë dhe, natyrisht, rrezikun nuklear si një nga rreziqet e mëdha me të cilat Aleanca më e fuqishme e kohërave do mund të përballet. Zhvillohet takimi i kryetarëve të qeverive dhe shteteve të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut Në vijim të punimeve të Samitit të NATO-s, në Lisbonë, u zhvillua sot në mesditë një takim i kryetarëve të qeverive dhe shteteve të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), si Kryeministri Berisha, Presidenti i Kroacisë z. Ivo Josipović, Presidenti i Maqedonisë z. Georgy Ivanov, Presidenti i Bosnjë Hercegovinës z. Nebojsa Radmanovic dhe Kryeministri i Malit të Zi z. Milo Äukanović. Në takim u vlerësua që Shqipëria dhe Kroacia janë tashmë vende anëtare të NATO-s dhe se ky është një faktor i rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Përfaqësuesit e tre vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, shprehën vlerësimin e tyre për kontributin dhe mbështetjen që Shqipëria e Kroacia po i japin perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin e tyre në NATO. Ata falënderuan Kryeministrin Berisha dhe Presidentin kroat z. Josipović për ndihmën që këto dy vende po i japin përpjekjeve të tyre për anëtarësim, si dhe aspiratës së rajonit për integrimin euro atlantik. Gjatë takimit u ritheksua vendosmëria e vendeve të Kartës së Adriatikut (A 5) për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe zgjerimin e kontributit të përbashkët në kuadër të misioneve të NATO-s në Afganistan. Kryeministri Berisha i konfirmoi anëtarëve të vendeve të Kartës së Adriatikut vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mbështetur aspiratat e tyre euro atlantike, por edhe aspiratat e të gjithë vendeve të tjera të rajonit, cilat do qofshin ato, si edhe të ndihmojë këto vende me shkëmbimin e eksperiencës së grumbulluar për hapat e mëtejshëm drejt këtij integrimi. Në takim u rikonfirmua vendosmëria për politikën e dyerve të hapura për Kartën e Adriatikut (A 5) duke shpresuar që në të ardhmen edhe vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë këtij forumi të rëndësishëm. (http://www.rilindjademokratike.com) (http://www.gazeta55.net) www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |