VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RAHOVEC: SIPAS REZULTATEVE PARAPRAKE, LDK DHE PDK NË BALOTAZH


E Hënë, 11.22.2010, 12:10pm (GMT1)

Rezultatet preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Rahovecit, tregojnë se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, do të garojnë në balotazh. Rezultatet i ka bërë të ditur Valdete Daka, kryetare e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, e cila gjithashtu ka potencuar se gjatë procesit zgjedhor nuk ka pasur parregullsi që dëmtojnë procesin.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Rahovecit, të cilat mbrëmë, para mesnatës, i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelal Canziba, do të garojnë prapë në balotazh.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se prej 49 mijë e 272 votuesve potencialë të Rahovecit, kanë votuar 40.51 për qind e tyre, dhe rezultatet preliminare tregojnë se listës së kandidatëve me më së shumti vota për kryetar të komunës së Rahovecit i prin kandidati i LDK-së.

"Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Ibrahim Kryeziu, 5,211 vota, 28.3 për qind; Partia Demokratike e Kosovës - Xhelal Canziba, 4,952 vota, 26.9 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Smajl Latifi, 4,740 vota, 25.8 për qind; Aleanca Kosova e Re - Rexhep Oruqi, 3,21 vota, 16.4 për qind dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë - Luljeta Kadiri, 473 vota ose 2.6 për qind", ka bërë të ditur Daka.

Daka ka shtuar se procesi zgjedhor në Rahovec ka kaluar pa ndonjë parregullsi domethënëse për vetë procesin.

"Procesi zgjedhor në zgjedhjet e 21 nëntorit ka kaluar pa ndonjë parregullsi që do të dëmtonte imazhin e këtij procesi zgjedhor", ka theksuar Daka.

Ndërkaq, kandidatët që, sipas rezultateve preliminare, do të garojnë në balotazh për kryetar të Rahovecit, e kanë vlerësuar procesin zgjedhor dhe rezultatin e arritur.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, ka thënë se gara ka qenë e fortë.

Është me rëndësi që LDK-ja në këtë garë ka dalë parti e parë. Ka qenë një garë mjaft sfiduese. Nuk i frikohem balotazhit. Ne do t'i bëjmë të gjitha organizimet që vërtet të mos ketë ndonjë befasi eventuale kur të mbahet balotazhi", ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelal Canziba, ka theksuar:

"Ne e dimë që jemi në zgjedhje të jashtëzakonshme, por realiteti është që fushata ka qenë e qetë, demokratike. Por, edhe procesi zgjedhor ka shkuar në mënyrë të qetë, "˜fer' dhe demokratike".

Ndryshe, në komunën e Rahovecit, dje kanë qenë të hapura 71 vendvotime. Numri i nënshkrimeve në listën përfundimtare të votuesve ka qenë 18 mijë e 862 votues, ndërkaq numri i fletëvotimeve të rregullta në kutitë e votimit ka qenë 19 mijë e 29.

Me kusht kanë votuar 405 persona. Zyrtarët e KQZ-së kanë paralajmëruar se Qendra e Numërimit të Rezultateve do t'i shpallë rezultatet pas dy ditësh, pasi që të bëhet edhe numërimi i votave me kusht, votave të votuesve me nevoja të veçanta dhe i atyre përmes postës. (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.