VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RAMA LETËR BERISHËS: OPOZITA ËSHTË TËRHEQUR NGA KËRKESA PËR HETIMIN E FLETËVE TË VOTIMIT
E Martë, 11.23.2010, 09:47am (GMT1)

Prej ditësh opozita shqiptare po përsërit publikisht se ajo ka hequr dorë plotësisht nga kërkesa për hetimin edhe të fletëve të votimit.

Në fillimet e betejës së saj për transprencën e zgjedhjeve të qershorit 2009 ato ishin kërkesa e panegociueshme. Tani socialistët do të mjaftoheshin edhe vetëm me materialet zgjedhore mjaft që të kryhet një hetim.

Por që kur ky qëndrim ka nisur të artikulohet nga ana e shumicës ka një përgjigje. Ajo kërkon që ta shoh të zyrtarizuar në letër.

Dje kryetari socalist Edi Rama i ka shkruar kryeministrit Sali Berisha në krye të së cilës ai shprehet se "në emër të interesave të vendit dhe në funksion të axhendës europiane opozita e ka parë të udhës të paraqesë një ofertë të re".

Në letrën e tij kryetari socialist përsërit atë që e ka dhënë disa herë publikisht se "për hir të kompromisit të domosdoshëmqë duhet t'i japë fund krizës politike të vendit" ata nuk i kërkojnë "fletët e votimit për këtë hetim".

Madje zoti Rama shkon më tej duke lënë të kuptohet se pavarësisht qëndrimit që do të mbahet me to, nëse ruhen apo digjen, socialistët "nuk e kushtëzojnë marrëdhënien e mëtejshme me parlamentin me fatin e fletëve të votimit".

Kryetari socialist ka rikonfirmuar se me nisjen e procesit të hetimit, opozita është e gatshme të nisë dhe dialogun për reformën zgjedhore.

Letra e zotit Rama, e cila i është dërguar për dijeni edhe presidentit të komisionit europian Hose Manuel Barozo, komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle dhe drejtuesve të grupimit të së djathtës e së majtës në parlamentin europian, përbën një hap më tej dhe përfaqëson një angazhim zyrtar përkundrejt deklarimeve në konferenca shtypi, por duket se sërish nuk do të mund t'i hap menjëherë rrugë zgjidhjes.

Zoti Rama shkruan se këtë ofertë e përmban propozimi që ai vetë disa javë më parë i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha.

Por atë dokument shumica, sic e ka përsëritur edhe pak ditë më parë kryeministri, nuk e konsideron të pranueshëm duke qenë se në pikën katër të projektvendimit që propozohet të marrë parlamenti shkruhet se "Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumentave apo provave që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përvec rasteve kur këto dokumenta janë në administrim të gjykatave apo organeve të ndjekjes penale".

Për shumicën nuk mund të ketë një hetim të pakufizuar.

Megjithatë situata duket se ka mbetur e bllokuar vetëm pë cështje të formës. Nëse me të vërtetë ka një vullnet për t'i dhënë fund kësaj historie që zgjat prej më shumë se një viti e gjysëm, do të mjaftonte një takim mes palëve, si shumë të tjerë që janë bërë deri më tani, për t'i dhënë edhe formën juridike që do hiqte dyshimet e njërës palë e do kënaqte kërkesën e palës tjetër.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.