VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZGJEDHJET NË KOSOVË ME ÇERTIFIKIM NDËRKOMBËTAR?
E Mërkurë, 11.24.2010, 08:25am (GMT1)

Autoritetet kosovare thonë se Kosova ka institucione të qëndrueshme dhe nuk është e nevojshme që të kërkohet një mekanizëm ndërkombëtar për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, ashtu siç thuhet ne pakon e Ahtisaarit

Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila udhëhiqet nga Peter Faith, shprehen të bindur se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë që do të mbahen më 12 dhjetor do të zhvillohen në një frymë demokratike dhe të gjitha subjektet politike garuese do të luajnë një rol konstruktiv. Zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit mbahen për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Në planin e Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilin është hartuar edhe Kushtetuta e Kosovës, thuhet se zgjedhjet e para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës duhet të marrin çertifikatë vlefshmërie nga një mekanizëm ndërkombëtar. Mirëpo, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy Mc Gaffy, zyrë kjo e cila mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, i tha DW-së, se Repubika e Kosovës tashmë ka institucionet e saja të qëndrueshme dhe ai nuk e sheh të nevojshme që një mekanizëm ndërkombëtar të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve.


"Zgjedhjet do të çertifikohen nga KQZ, sepse Republika e Kosovës ka autoritetet e saja dhe në këtë rast KQZ është autoriteti që do ta çertifikojë rezultatin. Të gjitha partitë politike tashmë kanë nënshkruar kodin e sjelljes, me të cilin zotohen për zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe në këtë linjë të gjitha pritjet tona janë se do të jetë një proces pozitiv i zgjedhjeve", thotë Andy Mc Gaffy.

Kosovarët nuk shohin nevojë për çertifikatë ndërkombëtare për zgjedhjet

Zyrtarë nga KQZ-vë, nga ana e tyre nuk besojnë se do të ketë nevojë për ndërhyrje të mekanizmave ndërkombëtare, sa i përket çertifikimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-ve, thotë për programin tonë se zgjedhjet lokale të vitit 2009, janë çertifikuar nga KQZ.


"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka çertifiuar zgjedhjet lokale të vitit 2009. Pra ka qenë një axhendë e pavarur e KQZ-së pas asnjë lloj ndërhyrjeje qoftë vendore apo ndërkombëtare. Natyrisht ne kemi praninë ndërkombëtare me kompetencat e saja, mirëpo, ato nuk kanë ndikuar në procesin e kaluar dhe nuk besojë se kësaj radhe do të jetë e nevojshme të jetë ndryshe", thotë Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-ve.

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit fillon me një dhjetor. Mirëpo, disa parti politike, që do të garojnë në zgjedhje qysh tash kanë shprehur dyshimet për një proces të rregullt zgjedhor, për faktin e kohës shumë të shkurtër të organizimit të tyre. Ato janë shprehur se nëse do të vërtetohet se ka abuzim më vota, nuk do ta njohin rezutatin e zgjedhjeve. Mirëpo, zedhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Andy mc Gaffy, beson se Kosova ka dëshmuar se mund të mbajë zgjedhje demokratike.

Vëzhgimi garanton besueshmërinë e zgjedhjeve


"Shpresat janë që të ketë një proces elektoral demokratik, ku partitë politike do ta luajnë rolin e tyre në mënyrë të përshtatshme, poashtu edhe institucionet tjera do ta luajnë rolin e tyre dhe Repubika e Kosovës duhet të tregojë se ajo mund të mbajë zgjedhje demokratike dhe këto janë standardet që duhen arritur", thotë Andy mc Gaffy. Ai nuk pranon të flasë se cili do të jetë roli dhe fuqia e përfaqësuesit civil ndërkombëtar në rast të kontestimit të mundshëm të rezultateve të zgjedhjeve nga ndonjë subjekt politik.

Sidoqoftë, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 12 dhjetor do të monitorohen edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë, kryesisht nga Bashkimi Evropian. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbah, ka thënë se veç organizimit të mirë të zgjedhjeve, vëzhgimi i tyre është shumë i nevojshëm për faktin që garanton kredibilitet të zgjedhjeve.

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.