VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALBIN KURTI: ANGAZHOHEM PËR BASHKIMIN E KOSOVËS ME SHQIPËRINË
E Mërkurë, 11.24.2010, 06:43pm (GMT1)

Kthimi i Lëvizjes Vetëvendosje në parti politike dhe regjistrimi i saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit ka ngjallur interesimin e shtypit gjerman dhe të gazetarëve të njohur siç është Norbert Mappes-Niedieck

Ky i fundit ka zhvilluar një intervistë me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, intervistë kjo që botohet në numrin e sotëm të gazetës gjermane ''''Merkishe Algemajne''''. Në këtë intervistë, Kurti fillimisht shpjegon se Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë ashtu siç thuhet, por kundër karakterit të saj. Kurti thotë se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të vendosë për fatin e Kosovës. "Nuk është e drejtë që zyrtarë ndërkombëtarë që nuk kanë legjitimitet demokratik të kenë fjalën e fundit për fatin e Kosovës, por këtë duhet ta bëjnë njerëzit që kanë mandatin e popullit.

Sipas Kurtit, Bashkësia Ndërkombëtare nuk është në Kosovë të ndihmojë zhvillimin ekonomik të saj por të ruajë stabilitetin. Sa i përket EULEX-it lideri i Vetëvendosjes thotë në gazetën gjermane Merkishe Algemajne, se këtij misioni nuk i bëhet vonë për drejtësinë në Kosovë, për të cilën trumbeton se ka ardhur. Ata po hezitojnë ti shkojnë deri në fund luftës kundër korrupsionit. Bashkimi Evropian në Kosovë duhet të dërgojë ekspertë kundër korrupsionit në Kosovë dhe ekspertë që do të ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë.

Në këtë intervistë, Albin Kurti shprehet publikisht se angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. "Shqiptarët në Ballkan janë një komb i vetëm, kufiri i ngritur midis Kosovës dhe Shqipërisë është kufi i padrejtë i ngritur me dhunë". Sipas Kurtit nëse do të organizohet një referendum në Shqipëri dhe Kosovë shumica e popullit do të votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndalesa për tu bashkuar me Shqipërinë, e cila është në Kushtetutën e Kosovës është një kufizim për sovranitetin e saj. Kjo ka ndodhur për arsye se Kushtetuta e Kosovës nuk është shkruar nga shqiptarët. E drejta për tu bashkuar me një shtet tjetër është e drejtë sovrane e një vendi, thotë Kurti tutje. Ai thotë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të forconte edhe ekonomikisht shtetin e përbashkët shqiptar, ndërsa do të ulte edhe apetitet e Serbisë përballë një Shqipërie të bashkuar. Duke folur për Serbinë, Kurti ka thënë në intervistë për gazetën gjermane se ky vend synon të bashkojë në një kanton të vetëm të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa ka shtuar se qëllim kryesor i Serbisë është që Kosovën ta bëjë shtet jofunksionalë për qeverisje ashtu siç ka ndodhur në Bosnjë me Republikën serbe.

(http://www.rtklive.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.