VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHKUP: POLICIA NDËRHYRI NË TELEVIZIONIN A1
E Premte, 11.26.2010, 09:51am (GMT1)

26.11.2010 -Situata në Maqedoni vazhdon të jetë e tensionuar pas ndërhyrjes së të forcave të shumta policore në hapësirat e televizionit A1, që ka shkaktuar reagime të shumë në opinion duke i dhënë mbështetje vazhdimit të punës së këtij televizioni.

Në MPB kanë deklaruar se policia nuk ka ndërhyrë ndaj të punësuarve, por, ka asistuar në kryerjen e kontrollit nga ana e Policisë Financiare dhe të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, që sipas zëdhënësit, Ivo Kotevski, ishin penguar të inspektojnë punën e një numri të madh të firmave të regjistruara në të njëjtën adresë ku gjendet edhe televizioni.

"Ministria e Brendshme apelon që gazetarët të mos lejojnë të manipulohen dhe të veprojnë kundër kodeksit të tyre etik duke mbrojtur interesat financiare të firmave, që nuk kanë pikë të përbashkët me mediumet", ka deklaruar zëdhënësi Ivo Kotevski.

Por, drejtuesit e këtij televizioni, por, edhe mediat e tjera, partitë opozitare, intelektualët dhe shoqata të ndryshme joqeveritare, ndërhyrjen e policisë e kanë cilësuar si ndërhyrje të pushtetit ndaj fjalës së lirë.

"Askush nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë veprim, policia nuk tregoi as urdhërin për një ndërhyrje të tillë, thjeshtë dera ishte e mbyllur dhe na u kumtua se këtu nuk mund të fluturoj asnjë zog, kanë thënë figurativisht. Për mua është me rëndësi ajo, që neve si gazetarë të A1, na është shkurtuar e drejta e lëvizjes së lirë dhe atë e konsideroj si presion ndaj mediave për informim të drejt", ka deklaruar Mlladen Çadikovski, kryeredaktor në A1.

Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE për këtë situatë të krijuar kanë akuzuar LSDM-në opozitare e cila, sipas partisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski tenton që përmes nxitjes së gazetarëve të këtij mediumi, të shkaktoj tensione në vend.

Ndërhyrja e policisë ndaj këtij mediumi ka shkaktuar edhe reagimin e ambasadorit të BE-së, Ervan Fuere, i cili ka kërkuar sqarime nga MPB-ja për këtë veprim.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.