VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBËRRIJNË VËZHGUESIT E PARË NDËRKOMBËTARË
E Premte, 11.26.2010, 01:09pm (GMT1)

Vëzhgues të ENEMOs në Kosovë

Mbi 150 vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO) do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të dhjetorit në Kosovë.

Tashmë në Prishtinë ka arritur një ekip i vogël i këtij misioni për të përgatitur terrenin për vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa numri më i madh i vëzhguesve do të vijnë pak ditë para votimeve.

Shefi i misionit të ENEMO-s, Zllatko Vujoviq ka thënë se vëzhguesit e Rrjetit Evropian të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve do të jenë të pranishëm në ditën e zgjedhjeve në rreth 700 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.

Numri prej mbi 150 vëzhguesve sa do të ketë ky mision, sipas tij, megjithëse nuk është i madh, do të mjaftojë për të konstatuar nëse procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Zoti Vujoviq tha se ENEMO do të dalë me qëndrim për zgjedhjet një ditë pas mbylljes së kutive të votimit, ndërsa raporti përfundimtar që do të përmbajë edhe një numër rekomandimesh për përmirësimin e procesit zgjedhor, do të publikohet disa ditë më vonë.

Vëzhguesit e këtij misioni vijnë kryesisht nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik dhe ato të Evropës Qëndrore e Lindore.

Kjo është hera e dytë që ENEMO do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë, pas monitorimit të votimeve për pushtetit lokal që u mbajtën vitin e kaluar.

Krahas këtij misioni, do të ketë edhe një numër vëzhguesish të BE-së dhe të ambasadave të huaja që do të monitorojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, si dhe 4800 vëzhgues vendorë.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.