VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kryeministri i Greqisë Karamanlis sot vizitë zyrtare në Shqipëri
E Hënë, 04.27.2009, 07:41am (GMT1)

ATSH/- Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare një ditore në Tiranë, me ftesë të homologut të tij, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Vizita e Kryeministrit grek nis pas mesdite me një pritje në selinë e qeverisë shqiptare, për të vijuar më pas me një takim tet a tet me homologun e tij, Kryeministrin Sali Berisha, mes të cilëve do të ketë bisedime zyrtare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Axhenda e Kryeministrit grek përfshin takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë dhe një takim me Fortlumturinë e Tij, Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë: Programi i vizitës së Kryeministrit të Republikës greke:  Ora 12.50 13.00 Ceremonia e pritjes nga Kryeministri Berisha.

Ora 13.00 13.20 Takimi tet a tet. Ora 13.20 14.00 Bisedimet zyrtare. Ora 14.00 14.05Nënshkrim marrëveshje (Ministrat e Jashtëm).  Ora 14.10 14.30 Konferencë e përbashkët shtypi. Ora 14.40 15.50  Drekë zyrtare dhënë nga Kryeministri Berisha. Ora 16.00 16.30 Takim me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bamir Topi. Ora 16.40 17.10. Takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës, z.Edi Rama. Ora 17.20 17.50 Takim me Kryetaren e Kuvendit, SH.S.Znj. Jozefina Topalli.  Ora 18.00 18.15 Kryeministri Karamanlis mban një fjalë  përshëndetëse në Kuvend. Ora 18. 20 Nisja për në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.  Ora 18.30 19.00 Takim me Fortlumturinë e Tij Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.


Më poshtë vijojnë etapat kryesore në jetën politike të Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis: 
     
Karamanlis u zgjodh Kryeministër i Greqisë më 10 mars 2004, pas fitores së bujshme të partisë së tij konservatore ''Demokracia e Re'' në zgjedhjet parlamentare të 7 marsit 2004.  Ai është lider i partisë së djathtë konservatore ''Demokracia e Re'', e themeluar nga xhaxhai i tij, Konstantin Karamanlis. Kostas Karamanlis fitoi një mandat të dytë pas zgjedhjeve parlamentare të 16 shtatorit 2007.
Karamanlis u lind më 14 shtator 1956 dhe studioi në Universitetin e Athinës për Drejtësi dhe në kolegjin privat ''Deree''. Më pas ai kreu studime pasuniversitare në ''Fletcher School of Law and Diplomacy'' në SHBA, ku mori master në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe historinë e diplomacisë. Karamanlis ka shërbyer edhe si zëvendëspresident i Partisë Popullore Evropiane gjatë viteve 1999-2006. Karamanlis është i pari kryeministër grek i lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Ai është i martuar me Natasha Pazajtin, me të cilën ka dy fëmijë binjakë, një djalë dhe një vajzë.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.