E Mërkurë, 04.24.2024, 09:28am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 

20 VJET NGA VRASJA E ARBEN BROCIT DHE TRE STUDENTËVE NGA SIGURIMI I SHTETIT GJATË MITINGUT ANTIKOMUNIST

SKENARI I GRAMOZ RUÇIT PËR MASAKRËN E 2 PRILLIT

Nga ALFONS GRISHAJ


E Shtunë, 04.02.2011, 07:44am (GMT+1)

Lije Broci, e ëma e Arben Brocit, Dëshmorit të Demokracisë akuzon si vrasës të martirëve të Shkodrës, Ramiz Alinë dhe Gramoz Ruçin. Me plagën e madhe të nënës për humbjen e djalit në moshën më të bukur, rrëfen disa detaje lidhur me atë që ndodhi në atë ditë të zezë të prillit. Sipas nënës së Dëshmorit të Demokracisë, personat që urdhëruan vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e disa dhjetëra të tjerëve janë Ramiz Alia e Gramoz Ruçi. Ajo thekson se ka njohur në mënyrë të rastësishme edhe personin që ka shtënë mbi të birin. Sipas Lije Brocit, vrasja ka qenë e qëllimshme. "Im bir ishte përcaktuar të vritej. Ai e dinte këtë dhe shpesh më thoshte se do të më vrasin nënë, por t'i duhet të jesh e fortë. Ishte pikasur që në dhjetor të vitit 1990, në takimin që studentët e Dhjetorit, patën me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Pas fjalëve mashtruese të Alisë, im bir kishte kundërshtuar, duke i kujtuar Presidentit qëllimin e atij takimi, pluralizmin", kujton nëna e Dëshmorit të Demokracisë. "Kur dolën, shton ajo, Beni më ka treguar se, Ramiz Alia i kishte kapur lehtë flokët. Ishte një veprim tipik i Enver Hoxhës, që u rrihte shpatullat atyre që donte t'i eliminonte. Beni e kishte kuptuar këtë dhe e ruajtën rastin më 2 prill", tregon Lije Broci.

Më 2 prill të vitit 1991, në qendër të Shkodrës u vranë katër djem të këtij qyteti. Me urdhër të Gramoz Ruçit, në atë kohë ministër i Brendshëm, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e "bishës" që përjetonte ditët e fundit të saj. Pak kohë pas ngjarjes, të katër u nderuan me emrin "Dëshmorë të Demokracisë", ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 prilli do të ishte dita e "Dëshmorëve të Shkodrës". Për 20 vite me radhë, krimi përkujtohet si një ndër më makabrit, që kishte në sfond motive politike.

NJOHJA ME DILAVER PAPAREN

Në demonstratën e 13 dhjetorit, demonstruesit më mbajtën për një copë kohe në krahë dhe brohorisnin emrin tim. Dilaveri e shikoi këtë skenë dhe m'u afrua duke më zgjatur megafonin: "A mund t'i bësh thirrje për qetësi?". Fytyra e tij nuk tregonte mendimin real, por ai me një nënqeshje rikërkoi, që unë të qetësoja demonstruesit. "Nuk dëshiroj të përdor dhunën!". Unë e kuptova mirë se çfarë nënkuptonte ajo fjali e stërbezdisshme, që më kumbonte në vesh prej vitesh. Hipa mbi mikrobus dhe porsa u bëra gati të flisja, poshtë mikrobusit shikova një spiun të njohur, që nuk dua t'i përmend emrin, se tashmë ka shkuar në botën tjetër bashkë me mëkatet e tija. Ai thirri, "Duam gjak!". E shikova atë mjeran që kërkonte që demonstratën paqësore ta kompromentonte. Desha të flisja për PD dhe ta shpallja aty. "Le të mbledhim një përfaqësi dhe të bisedojmë me autoritetet!". Nuk më lanë të mbaroja fjalën, se spiuni thirri përsëri: "Duam gjak, kemi biseduar!". E shoqëruan dhe disa zëra... U ula prej mikrobusit dhe e kapa prej xhakete pisin që provokonte turmën... Fatbardh Bilali, që ishte një nga ata që më mbante mbi shpatullat e tija, hyri dhe ai. Gjithçka ishte me sekonda. Pas meje hipi mbi mikrobus Apollon Haxhi, (dukej si i pirë), ai tha: "Është themeluar PD, me në krye Gramoz Pashkon". Ishte një e vërtetë, por jo krejt e saktë... Hipa përsëri mbi mikrobus, thirra: "Rroftë liria", duke ngritur dy gishtat lart ... "Pas meje!". Demonstruesit më shoqëruan në xhiron e parë, duke brohoritur...

BALLAFAQIMI ME GJEKË ÇELËN

Për herë të parë e shikova këtë njeri tek rreshtonte policët në formacion pushkatimi, për të qëlluar mbi demonstruesit dhjetoristë. U plagosën me dhjetëra... Pasi demonstruesit ngjeshën radhët, e detyruan këtë person bashkë me policët e tij të futej brenda Komitetit të Partisë. Aty, ky së bashku me shokët e tij, hapnin zjarr, e cila nuk pyeti për plumbin që mori, por pati hallin e fëmijës që mbante. Ajo thirri: "Gati më vratë fëmijën, more ju vraftë Zoti". Disa demonstrues i vunë zjarrin katit të parë të KPP-së.

Shkova përballë Komitetit të Partisë, për të qetësuar demonstruesit.

Protestuesit kishin kapur një oficer që po kalonte aty pranë, të cilin po e godisnin, duke menduar se ishte oficer Sigurimi. Ia hoqa nga duart, duke i thënë demonstruesve, se ai ishte oficer ushtrie dhe jo Sigurimi. E strehova oficerin tek një familje aty afër dhe i vendosa një mikun tim për ta ruajtur. Menjëherë shkova përsëri në shesh. I ndala demonstruesit që të hynin brenda Komitetit të Partisë, mendoja se do t'i vrisnin. Nipi i Ler Martinit, më tha se e kanë vrarë Lerin dhe e kanë futur brenda KPP-së. I premtova se do të ngjitesha vetë lart dhe ashtu bëra. Hyra brenda KPP-së, kur ç'të shikoj! Një mal me karrige e tavolina, që policët kishin vënë, që të pengonin demonstruesit të ngjiteshin në katin e dytë. Me zor u ngjita nëpër karrige dhe tavolina dhe përfundova në katin e dytë. Aty takova Lerin, i cili ishte plagosur në kokë. I tregova Lerit se njerëzit kujtonin se ai ishte i vrarë, prandaj ai duhej të ulej poshtë. Leri ishte i turbulluar dhe dukej sikur nuk më dëgjonte. Aty për aty hyri Xhorxhi Grabova: "Nuk e lë Lerin të dalë nga kjo godinë, se kush e di çfarë do t'i ndodhë, Leri më shpëtoi jetën". Tek fliste Sekretari i Partisë, dëgjova një zë, i cili kërkonte furnizime me fishekë, se i ishin mbaruar...

Ktheva kokën dhe menjëherë e njoha, që ai ishte personi, i cili komandonte, komandanti që rreshtonte policët për të qëlluar. Ky person ishte Gjekë Çelaj. Në tokë gjeta një plumb dhe ia drejtova Gjekë Çelës, "Ruani plumbat për armiqtë dhe jo për vëllezërit tuaj, që kërkojnë liri!". Ai, me një fytyrë habitore, më pyeti: "Kush je ti dhe për cilët armiq e ke fjalën!?". -"Jam përfaqësues i popullit, armiqtë janë serbët dhe jo shqiptarët!", ishte përgjigjja ime.

Isha i mbushur deri në fyt me fëlliqësitë, gënjeshtrat, manipulimet, paburrërinë dhe krimin komunist. Më 13 dhjetor 1990, vërtetova dhe njëherë kanibalizmin dhe tiraninë e kastës së kuqe. Natën e 13 dhjetorit erdhën hienat Sigurimsa, rrethuan pallatin tim. U arrestova. Në rrugë ishin dy "IFA" plot me policë. Në "IFA"-n që më hypën gjeta të arrestuar dhe Zamir Fajën, i cili kishte mbajtur mbi supe Olsi Lorjen gjatë kohës që thërmoi me çekan pjesën e kokës së mbetur të diktatorit. Olsi Lorja (ky Gavrosh Lirie), u vra nga forcat e Sigurimit pas kësaj ngjarje.

Porsa na ulën nga "IFA", në Degën e Punëve të Brendshme u ballafaqova me një tablo rrëqethëse. Ajo ngjante me arenën e Koloseut të Romës, kur besimtarët e krishterë hidheshin për t'i shqyer bishat. Kështu kishin bërë dhe Sigurimsat në Degën e Punëve të Brendshme, Shkodër. Të plagosurit që besonin në liri i kishin hedhur në oborr, ku bashibozukët pa uniformë, të veshur keq (praktikë e Sigurimsave që futeshin në popull, ku rrallë herë dhe i manipulonin), të cilët godisnin pa mëshirë të plagosurit. Bepin Torta dhe Sokol Drasati dhe pse të plagosur, ishin të paepur. Aljosha dhe Mondi, të cilët vetëm rrobën kishin të Sigurimit, se në shpirt ishin demokratë, u shprehën: "Këta janë të 326, i udhëheq Labo Çomo, këta nuk kanë shpirt". Bashibozukët, sa më panë u turrën mbi mua, "Shiko erdhi A-si, ky është ai zotëria që i ka udhëhequr, ky zotëria i kollarisur!". Njëri nga ato më futi stërkëmbësen, për të më rrëzuar. Fjalët e mia të ashpra i shtangën. Në ndihmë më erdhi dhe Aljosha dhe Mondi, të cilët thanë: "Alfonsin më mirë vriteni se ta prekni me dorë, mos e prekni me dorë...". Më vonë Dilaver Papare do të dilte kundër të gjithëve, për të më liruar mua. E pyeta Dilaverin gjatë ditëve që ai vinte në PD për të koordinuar veprimet për mitingjet tona: "Dilaver, pse më lirove më 13 dhjetor". Ai m'u përgjigj: "As unë nuk e di, por më je dukur ndryshe me të tjerët!".

Tani vetiu lindin disa pyetje për Gjekën:

Pse i rreshtonte policët dhe urdhëronte të qëllonin mbi demonstruesit!?

Përse kërkonte municione në radio dhe për kë i donte plumbat!?

Pse i masakronin të plagosurit dhe të arrestuarit në Degën e Punëve të Brendshme.!?

Kush e vrau djaloshin hero, Olsi Lorja, i cili me çekan hoqi kokën e mbetur të diktatorit?

2 PRILLI, MASAKRA E PARASHIKUAR DHE ROLI I KRIMINELËVE TË SIGURIMIT

Më kujtohet nata e 31 marsit dhe bataret që shkrehën komunistët, për fitoren e tyre në Shqipëri. Isha në selinë e PD-së, duke pritur e përcjellur aktivistët e PD-së. Disa aktivistë tanët që banonin pranë Degës së Punëve të Brendshme erdhën duke thënë që bataret e pushkëve erdhën nga dega. Ardian Tahiri, një aktivist i flaktë i lirisë tha: "Ky është fillimi i një provokimi!"

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. "Prapë këta kriminelë!". U munduam t'i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij... Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.

Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan "bashkëpunim", për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.

Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë në vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: "Shkodra Republikë!", etj... Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?

Në lagjen "Xhabije", populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: "Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?".

Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.

Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.

Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste '45-'46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?

Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.

Për t'i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t'i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.

Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: "Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe". "Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?". Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.

Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t'u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.

Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.

Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: "Këta kriminelë kanë me u vra!". Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.

Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: "Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!".

SI NISI

2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme "Jordan Misja", "Oso Kuka" dhe "29 Nëntori". Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.

Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.

Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur... Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij..., shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, "Helkath-Hazurim", që do të thotë, "fushëbetejë". U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë... Pse e gjithë kjo verbëri?!

BALLË PËR BALLË ME ÇAPAJEV TAÇIN

Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t'i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: "Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?". Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: "Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!". U larguam për të vazhduar detyrën tonë...

DIZINFORMIMI DHE MANIPULIMI, FORMË DHE MJET I SIGURIMIT TË SHTETIT

Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej...

Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti "fjetur", ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: "Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku", duke u përbetua se ishte i afërm i tij.

E hëngra nga Sigurimsi për herë të dytë dhe të fundit. I thashë Frrokut të ndryshonte emrin. Shikoni se si shokët e Gjekës nuk luftonin vetëm me pushkë, por dhe me dizinformim. Siç doli dhe më vonë në Parlamentin shqiptar, shkrimi im dhe i Rudolf Markut nuk ishin të saktë... Makina propagandistike e Sigurimit nuk ngurroi që, mbas këtyre vrasjeve të shkruante në muret e Shkodrës se, Arben Brocin e vrau Arbnori. Gënjeshtrat, sajimet, manipulimet, dizinformimet ishin shpeshherë një armë e fuqishme propagandistike në duart e mjeshtrave të Sigurimit. Por, kjo lojë e pabesë nuk eci tek shkodranët demokratë.

Gjekë Çelaj ka "harruar" të përmendë kur ai i thotë eprorit të vet që, "policët nuk po përmbahen!". Ai harron përsëri të përmendë urdhrin e eprorit të vet: "Veproni!". Çfarë do të thotë fjala veproni për zbatuesin e verbër? Ai harron, "harron" përsëri lutjet e Terezina Marubit (në atë kohë Kryetarja e Komitetit), që përgjërohej deri në përulje për të ndalur zjarrin mbi demonstruesit. Ai përgjigjej: "Nuk më dëgjojnë!".

Ai "harron" përsëri që tanket dhe autoblindat më 12.7 dolën për të ekzekutuar dhe jo për të parakaluar si për 1 maj.

Ai "harron" përsëri që, Fadil Cani, i tha Sekretarit të PD-së, "Do të hedh në erë KPP, së bashku me demonstruesit!".

Pse e gjithë kjo "harresë" për një polic profesionist!?

Nuk e kisha njohur nga afër zëvendësministrin Hajredin Shyti. E takova në zyrën e PD-së Shkodër, pas kërkesës që ai bëri për t'u takur me ne. E pyeta: "Pse i gjithë ky gjak?", (ndoshta i shpëtoi fjala, ndoshta me hipokrizi). Ai m'u përgjigj: "Nga injoranca. Po, po, polic të pakualifikuar!".

Është më e ndershme për të pranuar në skutat e errëta të ndërgjegjes së Gjekës, se ai nuk e kishte parashikuar një gjëmë të tillë dhe se situata i doli jashtë kontrollit, se sa të ringrinte përsëri një mal demonian, për t'u tallur me gjakun e martirëve. Nëse njëherë do të kërkonte ndjesë, do të tregonte se shpirti i tij i mbushur me mëkate pasqyronte një kthesë pozitive. Por, ai jo vetëm që nuk kërkon ndjesë, por vazhdon me një logjikë sterile kriminale, të shpërndaje tymnajë në qiellin e kaltër të së vërtetës.

ALIBITË ME PËRLLOGARITJE TMERRËSISHT TË GABUARA NË KOHË DHE HAPËSIRË

Alibitë e tij prej dhelpre për pushkën e Ibrahim Bilalit, që u arrestua bashkë me shoferin e PD-së, Kujtim Asllani, tek shkonin për të shoqëruar anëtarin e Këshillit Drejtues, Zhani Sekuj, nuk ishte për të vrarë shokët e vet, por për të mbrojtur veten e tyre nga pusitë dhe pabesitë e Gjekave. Gjatë atyre ditëve, një sërë atentatesh u bënë kundër nesh.

Mua më qëlluan me pistoletë nga një "IFA" policie. Shoku im që ishte me mua (Gëzimi), u hodh në kanal prej frikës së plumbave. Për herë të parë në jetën time dëgjova se si plumbat vërshëllyen pranë kokës sime... Tek shtëpia e Pjetër Arbnorit vunë dinamit dy herë. Xhemal Uruçit, i vunë dinamit në dritare. Familjen e Brahim Bilalit e kishin kërcënuar disa herë. Kërcënuan Kolec Ndojën, Eduard Përjakun etj..., etj.

Kurse, për pushkën me preçizion e të ndjerit R.V, që ia kishte dhuruar Kadri Hasbiu, bëhet fjalë për vitin 1973-'75 dhe ajo pushkë iu mor të ndjerit nga Sigurimi pas arrestimit të Kadri Hasbiut. Pra, ajo nuk e mbërriti vitin 1990. Çdo përpjekje e mjeruar e tij, për t'u shfajësuar dhe për të ngritur alibira trashanike, nuk është asgjë tjetër vetëm një humnerë që sa vjen e thellon veprën e tij kriminale...

TABLOJA E GJYQIT

Në bankën e të akuzuarve rrinin Hajredin Shyti, Çapajev Taçi (një monstër, mjafton të kujtojmë vrasjen e martirit Pëllumb Pëllumbi dhe është mjaft), Dilaver Papare dhe Gjekë Çelaj. Tek i shikoja, mendova se ata ishin vetëm zbatuesit e radhës së masakrës 47-vjeçare komuniste, që në mënyrë sistematike (Byroja Politike dhe Komiteti Qendror), nëpërmjet instrumentit të tij, Sigurimit të Shtetit, burgoste e vriste kundërshtarët e vet, por dhe shokët e vet... Duke gjykuar me gjakftohtësi dhe në mënyrë filozofike, shpjegova ngjarjen dhe akuzova urdhërdhënësit e krimit, të cilët ishin në Tiranë. Ata që ishin në bankën e të akuzuarve ishin pjesa e dukshme e trularëve të PP-së dhe veglës së fortë të diktaturës së proletariatit, Sigurimit të Shtetit. Pra, këta ishin zbatuesit e urdhrit. Populli thotë: "Ma zi gërgasi, se dorasi". Gjatë deponimit tim, Gjeka, nuk e ka çuar kokën asnjëherë, për të më shikuar në sy. Ai, e di mirë përse... (!!!). Nuk e thashë në gjyq dhe nuk po e shkruaj dhe sot...

TAKIMI I FAMILJES SË "MARTIRIT TË DEMOKRACISË" NAZMI KRYEZIU ME GJEKËN...

Familja Kryeziu është një nga ato familje shkodrane, të cilat e vuajtën në shpinë persekucionin komunist. E gjithë familja e tij u bashkua me Partinë Demokratike.

Nazmiu ishte një djalë trim dhe demokrat i orëve të para. Njihej si njeri i sakrificës.

Si kryetar i PD-së i seksionit në ndërmarrjen ku punonte, ishte i kudondodhur. Ai ishte një nga anëtarët e PD-së, që shkoi të qetësojë demonstruesit. Pushka rrënuese e kriminelëve i mori jetën. Ai vdiq në spital nga plagët.

Pas vrasjes së Nazmiut, familja e tij dhe e martirëve të tjerë kërkonin jo vetëm dorasin, por dhe urdhërdhënësin e krimit, gjë që në gjyq nuk doli urdhërdhënësi. Familja Kryeziu shkoi për ta takuar Gjekën jo se ai ishte i pafajshëm, por për të biseduar burrërisht me të dhe për t'i dhënë atij një shans për zbardhjen e ngjarjes. Matematikisht, Gjeka ishte i katërti në hierarkinë e të akuzuarve, pra, më i vogli në gradë ushtarake. Ai e humbi shansin që i dhanë familja Kryeziu...

ZGJIMI DHE MJERIMI I NJË IDIOTI

Pas 18 vjetësh u zgjua përsëri fajtori! Jo më rrufjan siç ishte, por një idiot... Me një libër tymnajë na rifreskon kujtesën. Libri i tij nuk është për të sqaruar 2 prillin, por për t'i hedhur hi syve shtetit kanadez, që ta pranonte si azilant. Kanadezët janë të prirur të pranojnë shumë peticionerë për humanizëm. Dhe sigurisht ky aktor i keq, që nuk ua hodhi antikomunistëve amerikanë, preku zemërgjerësinë e autoriteteve kanadeze.

Shoqata Antikomuniste "2 Prilli" dhe Shoqata Antikomuniste "13 Dhjetori", duhet të mbledhin dëshmitarë dhe fakte, që në një peticion të ardhshëm t'i dërgojnë pranë ambasadës kanadeze në Tiranë, për të rihapur çështjen e Gjekë Çelës, për ta ekstraduar në Shqipëri jo vetëm si kriminelin e 2 prillit, por dhe për gjakun e derdhur më 13 dhjetor 1990. Ky denoncim ndihmon për të ndriçuar mashtrimin e madh që i është bërë drejtësisë kanadeze.

Në të gjithë intervistën e tij, ai ka vetëm një të "drejtë", kur shprehet se ai ka fituar azilin nga Gjykata kanadeze me motivin i dënuar nga "kangaroo- court".

Po Gjeka e ka mashtruar shtetin kanadez, se nuk i ka shpjeguar, se, atë e kanë dënuar shokët e kauzës së vet. Kur e kanë arrestuar, në pushtet ka qenë përsëri Ramiz Alia. Pra, babai i tij shpirtëror.

KONKLUZIONI

Sot e kësaj dite ka mjaft të tillë në Prokurori dhe Gjykatë. Përsa i përket që ai del si mbrojtës i rreptë i ligjit, përsëri është një gënjeshtër e madhe, sepse është një ndër njerëzit më antiligjorë, pikërisht se theu burgun dhe ky është dhe një nga shkaqet që Gjykata e Emigracionit amerikan i vuri hekurat dhe e dërgoi në Shqipëri (ky informacion është i hapur për publikun në internet, mjafton te Google emrin e tij), ku megjithëse i kërkuar nga Interpoli, ai hyri dhe u largua nga Shqipëria për në Kanada pa i hyrë ferrë në këmbë.

Shteti shqiptar duhet të rihapë një hetim të ri për këtë precedent të rrezikshëm.

Kjo, për arsye se në Shqipëri janë pikërisht finokët e Sigurimit, që në çdo cep të shtetit demokratik shqiptar presin të bëjnë një 1997, të bëjnë 2 prille, të manipulojnë në Gjykata, të manipulojnë në aerodrome, në polici dhe t'i lënë të lirë kriminelët, që kanë larë duart me gjak. Ata tmerrohen nga rrugët dhe superrrugët që po ndërtohen. Tmerrohen nga NATO, nga SHBA dhe demokracia botërore!

Duke e mbyllur po citoj fjalët e Krishtit, "Ai që përdor shpatën prej saj ka me vdekë!". Lavdi heronjve të demokracisë, të gjithë atyre djemve, vajzave, nënave e baballarëve, që luftuan për demokraci në Shqipëri!

Martirët e 2 prillit

Arben Broci

Mosha: 21 vjeç

Profesioni: Student

Vrarë: 2 prill 1991

Vendi: Shkodër

Motivi: Politik

Bujar Bishanaku

Mosha: 22 vjeç

Profesioni: Student

Vrarë: 2 prill 1991

Vendi: Shkodër

Motivi: Politik

Nazmi Kryeziu

Mosha: 22 vjeç

Profesioni: Student

Vrarë: 2 prill 1991

Vendi: Shkodër

Motivi: Politik

Besnik Ceka

Mosha: 21 vjeç

Profesioni: Student

Vrarë: 2 prill 1991

Vendi: Shkodër

Motivi: Politik

ALFONS GRISHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOSOVA DHE MAQEDONIA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN E PATRULLIMIT TË PËRBASHKËT TË KUFIRIT (04.01.2011)
Kantrimen: Nuk ka kohë për ndryshime në KodinZgjedhor - Zgjedhjet e 8 Majit kusht për integrimin në BE (04.01.2011)
GJYKATA KUSHTETUESE: KOSOVA NUK ËSHTË NË VAKUUM INSTITUCIONALThaçi: Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme (04.01.2011)
JESEN PETERSEN: RASTI PËR VERIUN U HUMB NË '99 (04.01.2011)
LUFTA KOSOVË-SERBI NUK KA MBARUAR (04.01.2011)
PACOLLI DO TË SFIDOHET NGA NJË FEMËRA do të jetë kundërkanditate Suzana Novobërdaliu? (04.01.2011)
KANTRIMEN SOT NË TIRANË (04.01.2011)
BERISHA: ALEANCA E BETONIT RRËZOHET MË  MAJ (04.01.2011)
UASHINGTON: FESTIVALI I ÇELJES SË LULEVE TË QERSHIVE NË TIDAL BASIN (04.01.2011)
AMBASADA E SHBA NË KOSOVË KËRKON RESPEKTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE (03.31.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]