VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AUTOSTRADA - FINANCIMI NGA BUXHETI RREZIKON KRIZË BUXHETORE
E Shtunë, 10.08.2011, 12:39pm (GMT1)

08.10.2011

Luljeta Krasniqi

Financimi i projektit të autostradës Prishtinë Shkup duhet të bëhet përmes partneritetit publiko privat, ose përmes dhënies me koncesione, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas tyre, ndërtimi i kësaj autostrade me mjete të buxhetit të Kosovës do të mund ta dërgonte vendin në një krizë të thellë buxhetore.

Arian Zeka, udhëheqës i Departamentit të Politikave në Odën Ekonomike Amerikane, sugjeron autoritetet kosovare që të kenë kujdes në menaxhimin e parasë publike.

"Askush nuk është kundër ndërtimit të autostradave, pasi që kjo do të mundësonte qarkullimin më të lehtë dhe më të shpejtë të mallrave që vinë nga shtetet tjera si dhe brenda vendit, por duhet pasur kujdes që më këto planet më ndërtimin e autostradave në menaxhimin e parasë publike. Askush nuk do të donte një deficit buxhetor të Kosovës, pasi që kjo do të mund të qonte në ndonjë krizë të mundshme buxhetore vendin", thekson Zeka, për Radion Evropa e Lirë.

"‹"‹
Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka paralajmëruar mënyrën e financimit të këtij projekti nëpërmjet përcaktimeve të Qeverisë.

Ai nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me afatin dhe ecurinë e zhvillimit të projektit, por ka thënë se forma e koncesionit nuk është treguar e suksesshme në disa vende të tjera.

Këto paralajmërime të Qeverisë së Kosovës, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i quan të rrezikshme. Ai shpreson që qeveria ka përgatitur një plan të mirë dhe të di se ku do t'i sigurojë ato mjete buxhetore dhe mos të hyjë në deficit buxhetore.

Sidoqoftë, Zeka jep disa opsione për mënyrën e financimit të këtij projekti.

"Forma më e mirë e financimit të ndërtimit të autostradës do të ishte përmes një instrumenti i cili është nisur të promovohet suksesshëm në Kosovë, e ky është përmes partneritetit publiko - privat dhe pse jo edhe përmes dhënies më koncesion. Ne e kemi parë shembullin e dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës; atje tashmë ka nisur ndërtimi i një terminali të ri. Dhe në mendojmë që kjo do të ishte një formë e mirë edhe për ndërtimin e autostradës Prishtinë Shkup", thekson Zeka.

Në anën tjetër, Alban Zogaj njohës i çështjeve ekonomike thekson se duhet pasur kujdes lidhur me projektet tjera të reja dhe të mëdha.

Sipas tij, autoritetet kosovare fillimisht duhet të bëjnë shpronësimin e tokave, pronave, aty ku është planifikuar rruga, e pastaj të vazhdohet me zbatimin e projektit.

"Kosova aktualisht është duke e imlpementuar një projekt të madh. Kam përshtypjen që më e mira do të ishte të përfundohet një herë një projekt i madh siç është autostrada që na lidh me Shqipërinë, pastaj të fillohej të punohet në drejtimin tjetër. Pastaj, çështje problematike është çështja e shpronësimit të pronave dhe në rastin kur po bëhet paralelisht më zhvillimin e projektit po shkakton vonesa dhe humbje të mëdha të kostos dhe efiqencës", thekson Zogaj.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike Alban Zogaj thotë se financimi i projektit të autostradës Prishtinë Shkup me para të buxhetit të vendit mund të krijojë deficit të lartë buxhetor.

"Një prej formave që ne analistë e ekonomisë e përkrahim është forma e partneritetit publiko - privat. Kur një kompanie private i jepet rruga e cila e financon projektet dhe implemton projektin dhe pastaj e kthen investimin për një kohe të caktuar për një koncesion 20 vjeçar, apo varësisht nga madhësia e projektit dhe investimi", thekson ai.

Ndryshe, sipas projektit të prezantuar kohë më parë nga Minstria e Infrastrukturës, autostrada Prishtinë Shkup do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra. Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë.

(http://www.evropaelire.org)  

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.