VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ASGJË NGA TAKIMI MES KFORIT DHE SERBËVE, BARRIKADAT MBETEN
E Premte, 12.02.2011, 04:12pm (GMT1)

Mitrovicë, 02 Dhjetor 2011 - Ashtu siç kishte paralajmëruar Kosovapress, takimi mes përfaqësuesve të KFOR-it dhe serbëve lokal i mbajtur të premten në Zubin Potok rreth zgjidhjes së situatës më të re në Jegenicë dhe në zonat përreth, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Në takim ka marrë pjesë koloneli Adolf Konrad dhe komandanti i batalionit gjermano-austriak, nënkoloneli Franc Pirker, i cili kishte udhëhequr aksionin të hënën në Jegenicë.

Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se përveç idesë se problemi duhet zgjidhur në mënyrë paqësore, palët nuk janë pajtuar në asnjë pikë tjetër.

Sipas këtyre burimeve, KFOR-i ka kërkuar që serbët të largojnë barrikadat pa kushte, ndërsa pala serbe që KFOR-i të largojë pikëkontrollin tek udhëkryqi i Jegenicës dhe të lirojë rrugën Zubin Potok-Zveçan për lëvizjen e lirë të serbëve në këtë drejtim.

Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq ka thënë para gazetarëve se janë në kërkim të ndonjë zgjidhje gjatë ditëve në vijim.

"KFOR-i ka kërkuar të mbajë pikëkontrollin në Jegenicë për të vazhduar kontrollimin selektiv të automjeteve në kërkim të armëve, kurse ne nuk pranuam një gjë të tillë", ka thënë mes tjerash Ristiq, duke shtuar se KFOR-i duhet të kuptojë se problemet nuk mund të zgjidhen me forcë.

Sipas burimeve të Kosovapress-it, kryetari paralel i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, para takimit është konsultuar rreth dy orë me kryetarët paralel të tri komunave tjera të veriut, për vendimet e "banorëve serbë" që duhet KFOR-i t'i plotësojë.

"Janë kushte që edhe më herët i janë propozuar KFOR-it nga ana e banorëve serbë të cilat ata nuk i kanë pranuar, andaj vështirë se do të arrihet ndonjë zgjidhje", kanë thënë burimet, duke shtuar se barrikadat do të vazhdojnë të qëndrojnë përkundër apelit të presidentit Boris Tadiq për heqjen e tyre.

(http://www.kosovapress.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.