VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Jakup Krasniqi: Mund të kërkojmë hise në Luginën e Preshevës


E Shtunë, 12.27.2008, 03:48pm (GMT1)

 "Nëse Serbia vazhdon me politikën e tensioneve të vazhdueshme dhe cenimin e kufijve të Kosovës, nuk do të thotë që edhe shqiptarët s'kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e hises së tyre", ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.



Evropa e Lirë: 27 Dhjetor - Nëse Serbia vazhdon me atakimin e tërësisë territoriale të Kosovës dhe keqtrajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, edhe Kosova mund t'i kërkojë pjesët e saj që i takojnë, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Krasniqi i bëri këto deklarata si reagim ndaj një vale arrestimesh të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që u ndërmor nga ana e policisë së Serbisë.
"Vetë ministri i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq, doli para publikut të mburrej me arrestimet e përcjella me keqtrajtime dhe plaçkitje të qytetarëve të Kosovës Lindore, shtetas të Serbisë", tha Jakup Krasniqi.
Zyrtari i lartë kosovar ka përdorur termin Kosovë Lindore për Luginën e Preshevës, duke bërë të qartë se Prishtina nuk do të pajtohet me keqtrajtimet e popullatës shqiptare atje dhe në rast se veprimet e tilla serbe vazhdojnë, ai tha se Kosova mund të kërkojë "˜hisen' e vet në Serbi.
"Ju e dini që për Kosovën kufijtë janë të siguruar dhe të garantuar, por nëse dikush vazhdon me politikën e tensioneve të vazhdueshme dhe cenimin e kufijve të Kosovës, nuk do të thotë që edhe shqiptarët s'kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e hises së tyre. Këto arrestime dhe prezenca e sforcuar militare serbe në Kosovën Lindore, janë në funksion të frikësimit të popullsisë shqiptare atje, por si në të kaluarën, as sot nuk do ta arrijnë qëllimin", deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, analisti Driton Lajçi thotë se tensionimi i gjendjes në Preshevë nuk mund të nënkuptohet se do të sjellë deri te ngritja e çështjes së Luginës së Preshevës dhe zhvillimeve në Kosovë në pjesën veriore. Lajçi preferon më shumë që bashkësia ndërkombëtare t'i imponojë Serbisë zbatimin e standardeve për shqiptarët në Serbi, ngjashëm me ato që Kosova i aplikon për minoritetin serb.
"Nuk e besoj se mund ta tërheqim një paralele të tillë, sepse nuk ka asnjë sinjal, asnjë dokument apo iniciativë nga askush se janë të gatshëm të tërheqin këso paralelesh. Këtë duhet parë në një kuptim tjetër. Serbia po e tregon fytyrën e vërtetë që e ka në raport me minoritetet e veta, sepse ne e dimë se Serbia kërkon për minoritetin e vet në Kosovë status, i cili nuk ekziston për asnjë minoritet në botë, e në anën tjetër në territorin e vet për minoritetet e veta ka standarde krejtësisht tjera", thotë Lajçi.
Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi i ka quajtur veprimet e fundit të Serbisë si politikë antishqiptare dhe si vazhdimësi e politikës së Millosheviqit, që nuk ka arritur të shkëputet nga politikat e terrorit dhe gjenocidit.
"Beogradi zyrtar, në vend që të sqarojë gjendjen e rreth dy mijë shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë dhe t'i dorëzojë mbetjet mortore, në vend që t'i pranojë krimet e forcave serbe dhe t'i ndjekë kriminelët e luftës, të cilët madje si në paradë marshojnë herë pas here drejt Kosovës, në vend që të kërkojë falje dhe të shtrijë dorën e miqësisë me shqiptarët dhe Republikën e Kosovës, ai në stilin e hajnit që thërret "˜kapeni hajnin' arreston shqiptarët, që të krijojë përshtypjen sikur ata ishin kriminelët dhe jo soldateska serbe", theksoi Krasniqi.
Mes tjerash, tensionet e fundit në Preshevë, sipas analistit Driton Lajçi, do të reflektohen edhe në ashpërsimin edhe më të madh të raporteve Kosovë Serbi, të cilat edhe ashtu nuk janë të mira.
"Arrestimet e fundit, arrestime pa gjyqe - janë vazhdimësi e proceseve politike të kohës së Millosheviqit, të cilat është duke i kryer njeriu i Millosheviqit. Së dyti, këto do të ndikojnë në tensionimet e mëtutjeshme në relacionet Kosovë Serbi", vlerëson Lajçi.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar dhe u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t'i dënojnë veprimet serbe në Luginën e Preshevës.(Voal-online)


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.