VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KEQQEVERISJE TOTALE NË 2011ën
E Enjte, 12.29.2011, 03:42pm (GMT1)

Kryeministri Hashim Thaçi - foto nga arkivi.

29.12.2011

Zijadin Gashi

Opozita në Kosovë ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për paaftësi dhe keqqeverisje gjatë vitit 2011.

Në konferencat e përfaqësuesve opozitarë, në të cilat janë bërë vlerësime të punës njëvjeçare, u tha se qeveria aktuale e kryeministrit Hashim Thaçi, "ashtu siç erdhi në pushtet me manipulime, njësoj edhe vazhdoi qeverisjen e keqe, duke krijuar dhe jo duke zgjidhur probleme".

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, në një konferencë për media, tha se qeveria ka kontrolluar edhe Kuvendin e Kosovës, ku Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e koalicionit e përbëjnë shumicën. Ndërkaq, si qeverisje, ai tha se nuk sheh ndonjë rezultat të prekshëm gjatë vitit 2011.


"Ajo që këtë vit e ka shquar për të keq edhe Kosovën, edhe qeverinë, është ajo që është thënë edhe në Raportin e Progresit, e që ka të bëjë me mangësi të shumta, si: mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, krimi i organizuar, presioni ndaj mediave e të tjera".

"Këto janë ato që e karakterizojnë për të keq këtë vit. Nuk e them që ne e shohim vetëm me syza të errëta, por ky është realiteti dhe jemi të gjithë dëshmitarë. Fundi i fundit, nuk kemi mundur të presim qeveri më të mirë nga ata që kanë ardhur në pushtet, nga vota e abuzuar dhe e vjedhur",
tha Beqiri.


Demokraci e goditur, institucione pa legjitimitet...

Një vlerësim tejet negativ për Qeverinë Thaçi ka bërë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, tha se viti politik 2011 nisi me 12 dhjetor të vitit 2010, me zgjedhjet më të këqija të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

"Si pasojë, në këtë vit, jemi përballur me një demokraci të goditur të rëndë, me institucione qendrore pa legjitimitetin e duhur, me një përplasje të çdoditshme në politikën kosovare, e cila nuk ka krijuar cilësinë aq shumë të duhur të kësaj politike në ballafaqimin me sprovat kryesore të Republikës së Kosovës dhe të shoqërisë kosovare", u shpreh Shala.

"Sidoqoftë, e mira më e madhe e vitit që po e lëmë pas është që na i ka bërë me dije të gjithë neve, por edhe faktorit ndërkombëtar, çështjet kyçe që kërkojnë zgjidhje në vitin 2012".

"Veriu i Kosovës, raportet e padefinuara të Kosovës me Bashkimin Evropian, dialogu Prishtinë-Beograd i përgatitur dhe i menaxhuar keq, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, problemet në rritje ekonomike-sociale, e mbi të gjitha zhgënjimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve të Kosovës me politikën kosovare, janë çështjet që do t'i trashëgojmë në vitin 2012",
tha Shala.

Vlerësime shumë negative për punën e qeverisë, për tri ditë rresht, përmes konferencave dhe aktiviteteve tjera partiake, ka prezantuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Opozita ka përmendur edhe disa nga sfidat që e presin Kosovën për vitin 2012, si: ndryshimet kushtetuese, reformat zgjedhore dhe procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.