VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI, FAJON: SHQIPËRIA TË MOS I PËRSËRISË GABIMET E SË KALUARËS
E Hënë, 05.21.2012, 07:01am (GMT1)

 

TIRANË - Parlamenti Evropian kërkon nga Shqipëria që të mos përsërisë gabimet e së kaluarës në zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, katër ditë para nisjes së procesit zyrtar të konsultimeve për Presidentin në Shqipëri, deklaroi se PE do ta monitorojë atë. Në një intervistë për "Albanian Screen", ajo tha se PE kërkon që ky të jetë një proces i drejtë dhe demokratik. "Ne do e ndjekim procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Ne shpresojmë që ai të jetë një proces i drejtë e demokratik, sepse nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën", - u shpreh eurodeputetja
Fajon. Sipas saj, "zgjedhja e Presidentit do të tregojë nëse vendi e ka arritur maturinë e mjaftueshme për të vazhduar integrimin evropian". "Unë mendoj se ky vit mund të jetë vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë", - tha Tanja Fajon, ish-raportuesja për vizat me Shqipërinë në Parlamentin Evropian. Eurodeputetja Fajon kërkon, në këtë thirrje për partitë politike në Shqipëri, që ato të mos humbasin kohë në finalizimin e Ligjit të ri zgjedhor.

"Është shumë e rëndësishme që reforma zgjedhore të përfundojë, që Shqipëria të tregojë maturi dhe kryesorja, që zgjedhjet e reja të zhvillohen në mënyrë të drejtë e demokratike, sepse në të kaluarën ne kemi parë shpesh që Shqipëria ka humbur kohë në përmbushjen e reformave të integrimit evropian. Mendoj se ky duhet të jetë fokusi tani: Të mos ketë më vonesa", - u shpreh Fajon. Thirrja e eurodeputetes sllovene vjen në një moment kur negociatat parazyrtare kanë filluar, por në datën 24 maj hapen zyrtarisht bisedimet për gjetjen e emrit të ri të kreut të shtetit shqiptar. (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.