VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UJI MINERAL SHËRUES I DEÒªANIT DERDHET NË LUMBARDH
E Hënë, 05.21.2012, 10:12am (GMT1)

Deçan, 21 maj - Sasi të mëdha të ujit mineral, por edhe shërues, që buron nga bjeshkët, derdhen në Lumëbardhi. Kjo ndodh jo pse nuk ka të interesuar për investime në këtë vend të rrallë dhe atraktiv, por nga shkaku se, jo shumë larg tij, përkatësisht përtej Lumëbardhit, gjendet Manastiri i Deçanit, i cili i ka mbyllur të gjitha rrugët që shpien për këtu, shkruan "Zëri".

Qytetarët nevojtarë për këtë ujë shërues janë të detyruar të gjejnë rrugë alternative, të cilat nuk janë të qarkullueshme për automjete. Ata më shumë se dy kilometra duhet të udhëtojnë këmbë për të arritur në vendin, i cili tradicionalisht quhet Gushavc.

"Gushavci është shërues për shumë sëmundje", thotë Idriz Cacaj, nga Deçani, i cili tregon se këtu vijnë për ilaç shumë nevojtarë moshash të ndryshme edhe nga komunat e tjera. Mirëpo, e gjithë kjo ndodh në mënyrë primitive, ngase në këtë vend nuk është ndërtuar asgjë që do t'ua lehtësonte qytetarëve shfrytëzimin e këtij uji, që thonë se është shërues për sëmundjen e eshtrave, lëkurës, fytit etj.

Cacaj thotë se nevojtarët grumbullohen përgjatë rrjedhës së këtij uji, por nuk ka vend për të gjithë, prandaj ata presin në radhë edhe më orë të tëra. Edhe ambienti ka mbetur vetëm ashtu siç e ka krijuar natyra, ngase askush nuk kujdeset për mirëmbajtjen e tij.

Cacaj thotë se të gjitha pengesat vijnë nga klerikët e Manastirit, të cilët, sipas tij, kanë futur brenda mureve edhe të gjitha hapësirat, ku më parë ishin pishinat, që tradicionalisht shfrytëzoheshin nga qytetarët.

"Unë jetoj në Holandë, por verën e kaluar më rekomanduan mjekët që për disa ditë të provoj këtë ujë shërues", thotë Rrustem Binakaj.

"Mirëpo, pasi u nisa për atje, hasa në bllokimin e rrugëve nga Manastiri. Rruga ekzistuese prapa mureve të Manastirit ishte e mbyllur plotësisht. Në ballë të saj ishin vënë dyert që nuk hapeshin, kurse edhe rruga tjetër, përgjatë hapësirës ku kanë ekzistuar pishinat, ishte e rrethuar me mure dhe tela me gjemba. Më thanë se për të shkuar në Gushavc duhet të shfrytëzoj rrugë alternative dhe duhet ecur këmbë. Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund ta përmbushi rekomandimin e mjekut, por mund të them se nuk është njerëzore mbyllja e rrugëve nga predikuesit fetarë, rrugë të cilave me mijëra vjet kanë qenë të hapura për të gjithë", thotë ai.

Halil Tolaj, drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim, tregon se ka pasur shumë oferta për investime në ndërtimin e kapaciteteve menaxhuese të ujit mineral. Mirëpo, asnjëra prej tyre nuk ka marrë "vizën" nga organet përkatëse.

"Mbase pengesat janë të natyrës politike, të cilat, sipas meje, në rastin konkret, nuk duhet të ndalojnë investimet e tilla. Pos rëndësisë ekonomike, investimet në këtë hapësirë mund të jenë edhe të karakterit humanitar, ngase ky ujë është edhe me veti shëruese. Është mëkat që për tekat e kujtdo qoftë të pengohen investimet e tilla", thotë Tolaj, duke besuar se më në fund do të zgjidhet edhe ky problem.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.