VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KFOR dhe EULEX përforcime në veri të Mitrovicës
E Djelë, 01.04.2009, 12:14pm (GMT1)

4 janar (Voal-online) Në një komunikatë të lëshuar mbrëmë nga misioni europian në Kosovë, pas ngjarjeve të ndodhura këto ditë në mbyllje të 2008 dhe në fillim të 2009 në veriun e Mitrovicës, thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i nuk do të lejojnë asnjë lloj dhune në Kosovë dhe do të parandalojnë çfarëdolloj incidenti të mundshëm. Bëhet e ditur se, për momentin KFOR-i është duke e shtuar prezencën e tij në Mitrovicë, ndërsa edhe EULEX-i do ta shtojë prezencën në veri të Kosovës për të treguar përkushtimin e tij për ta realizuar misionin e paraparë. Më tej në komunikatë theksohet edhe se trupat e KFOR-it dhe njësitë e Policisë së EULEX-it do të vazhdojnë të ndihmojnë Policinë e Kosovës të mbajë rregull publik. Ndërkohë KFOR-i dhe EULEX-i iu kanë kërkuar të gjithë banorëve të Mitrovicës dhe zonave të tjera të Kosovës, të vazhdojnë të jenë të qetë dhe të ndalin çfarëdo veprimi të dhunshëm. Në komunikatë theksohet se KFOR-i dhe EULEX-i janë të gatshëm të kundërveprojnë fuqishëm ndaj çfarë kërcënimeve që i bëhen sigurisë dhe të garantojnë një ambient të sigurt dhe lëvizjen e lirë. Përforcime kanë ndodhur shpesh në këtë zonë edhe në të kaluarën nga forcat e atëhershme të UNMIK-ut si dhe ato të KFOR-it, natyrisht, vetëm kur ka pasur ngjarje. Por përforcimet kanë qenë vetëm të përkohshme dhe të pamjaftueshme. Pastaj gjendja është kthyer sërish në të njëjtat parametra, çka ka çuar në realitetin tashmë të njohur në këtë pjesë të Kosovës. Prandaj është herët të themi nëse këto lëvizje tashmë të EULEX-it dhe të KFOR-it do të shihen si lëvizje serioze nga ana e opinionit në vend.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.