
Pacolli paralajmëron dorëheqjen nga Qeveria
Prishtinë, 12 korrik - Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli është i zhgënjyer me politikën. Nuk e përjashton mundësinë që personalisht të largohet nga Qeveria, por premton se AKR-ja do të jetë pjesë e koalicionit deri në fund të mandatit.
Ai në një intervistë për “Epokën e Re”, transmeton “Telegrafi” ka thënë se ka një ofertë serioze për të qenë i përfshirë në një mision paqeje të nivelit të lartë dhe këtë tha se po e shqyrton seriozisht.
“Nëse vendosi pro kësaj oferte do të shkoj, por koalicioni do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, ka thënë Pacolli.
Ai e ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin ka thënë se nuk është dashur fare mendimi i kësaj gjykate për mandatin e presidentes.
“Jam i prirë të besoj se presidentja do të veprojë ashtu siç ka vepruar Fatmir Sejdiu, siç kam vepruar edhe unë, për hir të shmangies së krizës institucionale apo bllokimit të reformave”, ka thënë ai.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në skenën politike, Pacolli ka thënë se nuk ndihet i tradhtuar as nga kryeministri Thaçi e as nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Në mbledhjen e sotme plenare, e fundit në sesionin pranveror, të Kuvendit të Kosovës, e cila për shkak të agjendës së ngjeshur mund të zgjasë edhe ditën e premte, si rëndom, fillimisht do të shterohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës. Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L 079 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet edhe Projekt-rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ministrja Mimoza Kusari Lila paraqitet në interpelancë lidhur me vendimin e marrë nga MTI për vendosjen e tarifës prej 35 % çimentos nga Shqipëria. Interpelanca mbahet sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen: Raporti i dytë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrim evropian për vitin 2012, Raporti vjetor të punës i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, për vitin 2011, si dhe Raporti vjetor dhe pasqyrave të audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, po për vitin e shkuar.
Në të njëjtën seancë, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë.
Si pika të fundit të rendit të ditës së seancës së fundit të Sesionit pranveror do të jenë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, si dhe shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.