
DURRËS - Aleanca KuqeZi nis turin e takimeve me emigrantët shqiptarë të cilët kthen gjatë sezonit veror pranë të afërmve të tyre për të kaluar pushime. Lideri i lëvizjes Aleanca KuqeZi çeli fushatën e takimeve me emigrantët shqiptarë në qytetin e Durrësit.
Kreu i AK gjaë fjalës së tij u ndal tek dështimi në themel i kontratës që PS dhe PD duhet të zbatonte me qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit. “Ka ardhur koha që të gjithë t’i ktheni sytë nga Shqipëria, nga toka jonë e cila po dergjet, shitet dhe copëtohet për interesat personale të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Sot më shumë se kurrë ju duhet të kuptoni që politikat e PS dhe PD kanë dështuar dhe këto dy forca politike duhen ndëshkuar. Duhen ndëshkuar me votë për qëllimin e vetëm për t’i dhënë Shqipërisë një faqe të re në historinë e saj moderne, ku zhvillimi, integrimi dhe prosperiteti të mos ketë as ngjyrën blu e as atë rozë por të mbajnë vulën kuqezi, vulën e shqiptarëve kuqezi” – deklaroi Kreshnik Spahiu.
Lideri i kuqezinjve vuri theksin tek e drejta e votë së emigrantëve e cila prej 22 vitesh është mohuar pasi sipas tij Berisha dhe Rama e dinë mjaft mirë që vota e emigrantëve është votë ndëshkuese sepse ata arrijnë ta bëjnë diferencën midis një politike zhvilluese evropiane dhe një politike klienteliste si e Rames dhe Berishës.
“Ju e keni parë dhe dëgjuar që Aleanca KuqeZi ka zhvilluar protesta në Rome, Bruksel, Londër, Gjenevë dhe Uashington për të drejtën e votës e cila është një e drejtë kushtetuese që i takon të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve. Por kjo e drejtë iu është mohuar nga burracakët e politikës shqiptarë që i tremben votës tuaj të drejtë. Aleanca KuqeZi është zotuar dhe do të qëndrojë e palëkundur në të drejtën tuaj për të zgjedhur politikën qeverisëse për të afërmit tuaj në Shqipëri. Ndaj, unë sot këtu në mesin tuaj dua të bej publike një nismë të jashtëzakonshme të përfaqësuesve të Aleancës KuqeZi në Britaninë e Madhe. Dega jonë në Londër ka arritur të marrë firmat e 14 deputetëve të parlamentit britanik të cilët i drejtohen shtetit shqiptar me një apel të qartë: Mos i mohoni të drejtën e votës komunitetit shqiptaro-britanik. Mohimi i kësaj të drejte është themeli i ndërtimit të shtetit demokratik” – deklaroi Kreshnik Spahiu.
Turi i takimeve të Aleancës KuqeZi me emigrantët shqiptarë që kthehen gjatë sezonit verorë do të vijojë në të gjitha qytetet bregdetare të Shqipërisë.(bw)