EULEX: ANËTARËT E LDKsë JANË VRARË VETËM PSE ISHIN KUNDËRSHTARË TË PDKsë
E Premte, 07.27.2012, 08:45am (GMT+1)
Prishtinë, 27 korrik – Hetuesit e EULEX-it dyshojnë se dhjetëra anëtarë të
LDK-së janë vrarë vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Njësia për hetimin e
krimit të organizuar e Policisë së EULEX-it ka renditur dhjetëra raste të
vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt, të cilat i ka
konsideruar si krime të motivuara politikisht. Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve
në tentativë, rrahjeve e kidnapimeve, sipas hetuesve, qëndron një organizatë e
mirëfilltë e financuar mirë.
Ky raport i nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsworth, që ka të bëjë me hetimet e
krimeve të ndryshme, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, thekson se më 3
tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar” me qëllim të shqyrtimit
të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to, që
janë kryer ndërmjet 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me
ish-regjimin serb apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
EULEX përmend emrat e personave të vrarë dhe të atyre ndaj të cilëve ishte bërë
përpjeke të vriteshin.
WWW.VOAL-ONLINE.CH
|