LONDËR - Të paktën nga dy prej tyre priteshin medalje, ndërsa nga pjesa tjetër,
një konfirmim i normave të tyre përpara startit të Olimpiadës. Ishte ky
parashikimi për shqiptarët në Lojërat Olimpike të Londrës, që edhe këtë herë u
kthyen në një zhgënjim. Deri më sot, asnjë medalje olimpike, një rekord tejet
negativ për një vend që e dashuron sportin, por që ka një mungesë të theksuar
talentesh apo më tej akoma, një ndjenjë inferioriteti të theksuar karshi
atletëve të vendeve të tjera. Olimpiada e Londrës gjithsesi mbetet një nga më
zhgënjyeset, pasi për çudi, përveç peshëngritësit Briken Çalja, sportistët e
tjerë nuk kapën as normat e tyre apo më keq akoma, u përjashtuan nga garat para
se të nisnin ato.
Dopingu
Shqipëria do të mbahet mend për diçka nga këto Lojëra Olimpike: fakti që atleti
i parë i përjashtuar për përdorim dopingu, ishte një shqiptar. Hysen Pulaku nuk
pati shansin as të niste garimin e tij, teksa u përjashtua nga fshati olimpik
për gjetjen pozitiv me një substancë të ndaluar prej 50 vjetësh, si
stanozololi, i cili zbulohet vetëm me anë të një analize të thjeshtë urine.
Dalja pozitive e Pulakut shënoi një pikë negative për sportin shqiptar, që
përfaqësohej në Londër me vetëm 11 sportistë. Veç kësaj, këmbëngulja e
peshëngritësit për mosdijeninë e tij ishte një çudi më vete, pasi substanca nuk
është një nga ato që nuk njihen nga Federata apo nga trajnerët.
Kelmendi
Talentja kosovare e xhudos garoi për flamurin shqiptar, duke u bërë e para
sportiste e shtetit më të ri të Evropës që shkon në Olimpiadë pas shpalljes së
pavarësisë. Majlinda Kelmendi përbënte një krenari për të gjithë shqiptarët,
pasi ajo ishte shpallur kampione e botës për të rinj në xhudo. Por, as ajo nuk mund t'i shpëtonte
"trendy-t" të zhgënjimeve. Kelmendi u mund në 1/8 e finales nga një
atlete nga Mauricius, që nuk renditet as në qindëshen më të mirë të botës. Një
gafë e sportistes kuqezi, e cila pësoi një Ippon, ose ndryshe, një
"tuç" që vlen 100 pikë. U duk si një moment mendjemadhësie nga ana e
saj, pasi kundërshtarja ishte e një niveli vërtet amator.
Peshëngritja
Është një sport tipik i vendeve të Lindjes, pasi në perëndim dalëngadalë,
peshëngritja po hiqet si disiplinë për shkak të pasojave që lë te sportistët.
Ky sport ishte shpresa tjetër e Shqipërisë në Olimpiadë, por ai rezultoi një
dështim i vërtetë. Romela Begaj nuk kapi as peshën e saj, duke zhgënjyer dhe
për më tepër, duke bërë një gjest të çuditshëm fitimtari në fund. Rrekja e
drejtuesve të Federatës për ta quajtur një sukses vendin e 11-të, ishte një
tentativë banale për një sportiste që pretendonte medalje. Më tej, Daniel
Godelli, një tjetër sportist me shumë vlera, nuk u kualifikua fare, pasi nuk
ngriti asnjë prej tre provave në stilin e shkëputjes. Ndërkohë, i vetmi që pati
disi sukses, ishte Briken Çalja, që i tejkaloi normat e tij, duke zënë një vend
të tetë nderi. Një situatë jo komode edhe për Endri Karinën, i renditur i pesti
në baterinë B.
Atletika
Që Shqipëria nuk ka patur asnjëherë nivel të lartë në atletikë, kjo dihet, por
paraqitja në Londër ishte vërtet për të ardhur keq. Në hedhjen e gjyles,
Adriatik Hoxha ishte gati 1 metër larg rekordit të tij, një rezultat vërtet
katastrofë. Nëse medalisti i artë fitoi me 21.95 metra, ai e hodhi gjylen vetëm
17.58 metra, ndërkohë që rekordin personal e kishte 18.18 metra. Sa i përket
Klodiana Shalës, ajo u dëmtua në mënyrë të çuditshme pak ditë para garës, duke
u tërhequr prej saj. Shala ishte me ftesë në Olimpiadë dhe do të garonte në 200
metra, por duket se kjo ftesë shkoi kot. Rezultatet e mira munguan edhe në qitje
e në not, ndonëse Sidni Hoxha arriti të tregonte njëfarë krenarie, duke fituar
të paktën baterinë e tij.