Shqipëri: Nuk zhvillohet votimi për çështjen e imuniteteve BERISHA: REFERENDUM PËR HEQJEN E IMUNITETEVE RAMA: REFERENDUM PËR PAKETËN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE
E Hënë, 08.06.2012, 09:47pm (GMT+1)
06.08.2012
Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbrëmje se shumica që ai
drejton do të kërkojë një referendum për çështjen e kufizimit të imunitetit.
Deklarata e tij erdhi në fund të një seance prej afër 8 orësh në parlament, e
cila ishte thirrur për të votuar ndryshimet në kushtetutë për imunitetet. Së
bashku me opozitën ishte rënë dakort për formulën e ndryshimeve, por
socialistët kërkuan që votimi të bëhej në shtator, pasi të ishin diskutuar
ndërkohë edhe propozimet e tyre për disa nderhyrje të tjera kushtetuese që
lidhen me sistemin e Drejtësisë dhe emërimet e gjykatësve dhe drejtuesve të
institucioneve kryesore kushtetuese. Këto propozime kryeministri i ka
konsideruar të papranueshme.
Duke qenë se në seancën e sotme ishte e domosdoshme edhe mbështetja e opozitës,
procedura e votimit nuk u hap. “Në këtë situatë, ky debat me ju merr fund këtu.
Që nesër shumica do të nis procesin për referendum popullor për heqjen e
imunitetit. Ne do t’i drejtohemi socialistëve të thjeshtë”, deklaroi kryeministri
pasi akuzoi socialistët se po mbajnë të njejtin qëndrim bllokues që sipas tij
kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve duke dashur të bllokojnë statusin e vendit
kandidat, tha zoti Berisha.
Në rastin e një referendumi kushtetues, ligji shqiptar parashikon se vendimi
merret nga parlamenti dhe brenda 60 ditësh është gjykata kushtetuese e cila e
merr në shqyrtim dhe më pas Presidenti i Republikës cakton datën. Por sërish
shumica nuk e shmang dot një tjetër debat me opozitën. Pasi sipas ligjit,
kërkesa bëhet nga një e pesta e deputetëve, dhe kjo nuk përbën asnjë problem
për shumicën, por vendimi përfundimtar duhet të merret nga parlamenti me dy të
tretat e deputetëve. Pra sërish situata do të kthehet në pikën e nisjes e do të
duhet një tjetër seancë si kjo e sotmja.
Lëvizja e kryeministrit duket të jetë më shumë një mënyrë për të mbajtur nën
presion opozitën. Kryetari
socialist Edi Rama reagoi menjëherë në Twitter. “Referendum për imunitetin?
Gati ta pyesim popullin për gjithë paketën e ndryshimeve kushtetuese për
drejtësinë, ky do ishte referendumi real! Përderisa për imunitetin kemi rënë
dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet,le t’i ballafaqojmë hapur me
popullin vizionet e argumentat”, shkruan zoti Rama. Më tej ai shton: “Le tua
lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e
imunitetit apo edhe propozimet e tjera të opozitës! Si thua Sali? Nëse ke
kurajo, jo për t'u tallur me popullin, po për t'u ballafaquar me opozitën
përpara popullit, eja bëjmë referendumin”, përfundon kryetari socialist.(za)
www.voal-online.ch
|