07.08.2012
Ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe të Qipros, Ivan Mërkiq dhe Erato Kozaku
Markulis, kanë rënë dakord se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë të
shkëlqyera dhe kanë konfirmuar mbështetjen e ndërsjellë për integritetin
territorial.
Duke folur për Kosovën, gjatë takimit të tyre në Qipro, Markulis ka përsëritur
se qëndrimi kombëtar i Qipros si shtet që nuk e pranon shpalljen e pavarësisë
së Kosovës, mbetet i pandryshuar.
“...por, si udhëheqëse aktuale e BE-së, Qiproja do të ketë qasje të balancuar,
duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha shteteve anëtare – edhe të atyre që
e kanë njohur Kosovën, edhe të atyre që nuk e kanë njohur”, ka thënë shefja e
diplomacisë qipriote.
Qiproja, së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Spanjën dhe Rumaninë, janë pesë
vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës, të
shpallur më 17 shkurt, 2008.(rel)