07.08.2012
Popullariteti i Bashkimit Evropian në Kosovë mbetet i lartë. Në një referendum
për t’iu bashkuar BE-së, 72% e qytetarëve do të kishin thënë “Po” – gjë që,
sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, është një përqindje e cila nuk ka ndryshuar
fare nga dy vjetët e kaluar.
Po sipas kësaj zyre, shumica besojnë se integrimi do të ishte një përparësi për
Kosovën; pothuaj 90 % e të anketuarve e konsiderojnë si të rëndësishëm
fuqizimin e lidhjeve me BE-në dhe më shumë se 70 % e tyre e shohin integrimin
në BE si një zgjidhje të mundshme për problemet ekzistuese në ekonomi, udhëtim,
korrupsion, sigurim të së ardhmes për të rinjtë, mirëqenie sociale dhe në
fushat e bujqësisë.
Anketa është organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja “Perspektiva e BE-së
në Kosovë” dhe është realizuar në maj dhe qershor të vitit 2012.
Të gjeturat kryesore të saj janë prezantuar të martën nga zëvendësministri i
Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, zëvendësudhëheqësi i operacioneve në
Zyrën e BE-së, Melvin Asin, zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Stojan Pelko, dhe
udhëheqësi i operacioneve në UBO Consulting, Berat Abdiu.(za)