E Mërkurë, 04.24.2024, 12:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
Topi:  Serbia të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
E Enjte, 01.08.2009, 02:44pm (GMT+1)

Evropa e Lirë Voal-online- Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë vizitës që po i bën Kosovës, i ka bërë thirrje Serbisë që në vend të implikimeve negative në destabilizimin e Kosovës, t'i respektojë të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi në shkallën që e bën Kosova për minoritetin serb.

Ballkani perëndimor duhet të shkëputet përfundimisht nga nacionalizmi dhe të orientohet drejt integrimeve euroatlantike, tha sot në Prishtinë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.
Gjatë vizitës së tij dyditëshe në Kosovë, presidenti Topi është pritur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim para Parlamentit dhe ka takuar udhëheqës të partive politike. Presidenti shqiptar tha se ndihej i kënaqur që agjendën e tij për këtë vit po e niste me vizitën në Kosovën e pavarur.
"Ky është një vit i mbarë, siç ishte fillimi i vitit të kaluar, kur vizitova Kosovën vetëm pak ditë para shpalljes së pavarësisë", tha Topi.
Ndërkaq, duke iu referuar incidenteve të fundit në Mitrovicë, Topi tha se veprime të tilla nxiten nga ultra-nacionalistë nga Serbia. Topi tha se Serbia duhet të interesohet për minoritetin e vet në Kosovë, por njëkohësisht edhe t'i nxisë serbët që t'i shfrytëzojnë të drejtat kushtetuese që u ofron Republika e Kosovës. Ndërkaq, kërkoi nga Serbia që standardet e njëjta për minoritetet që i kërkon në Kosovë, t'i respektojë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
"Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila në fakt duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, ashtu edhe për t'i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës".
"Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës",
deklaroi Topi.
Presidenti Topi tha se pavarësia e Kosovës ishte një zgjidhje e drejtë për këtë vend me një popull të shtypur - ishte zgjidhje e çështjes së fundit të pazgjidhur në Ballkan, por që ishte arritur në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët.
"Do të ketë vetëm njohje të reja. Do të ketë aderime të Kosovës, të institucioneve të saj në organizma ndërkombëtarë, në tavolina rajonale. Kosova është një realitet i ri gjeopolitik në rajon, i domosdoshëm qoftë nga pikëpamja e marrëdhënieve politike, diplomatike, por edhe ekonomike", u shpreh Topi.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova e Shqipëria do të nënshkruajnë një marrëveshje për lehtësimin e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, duke potencuar se një marrëveshje e tillë do të iniciohet edhe me vendet tjera të rajonit, për të marrë shembull Evropën e Bashkuar ku njerëzit lëvizin lirshëm.
"Unë e kam dhënë një ide dhe e kemi biseduar edhe me presidentin Topi, që të jetë një "˜mini Shengen' i Evropës Juglindore, që të jetë një shembull i mirë ku qytetarët, sikurse që lëvizin lirshëm verës - ju e dini se nuk ka procedura pasaportash as për ta vizituar Ulqinin, Sarandën, Vlorën dhe ajo realizohet pa pengesa, kurse është fluksi më i madh i qytetarëve - pse të mos bëhet njësoj edhe në pjesën tjetër të vitit", tha Sejdiu.
Nesër, presidenti Bamir Topi pritet të shpallet qytetar nderi i Ferizajt dhe para largimit për në Tiranë, ai do të mbajë edhe një konferencë për media. Vizita e parë e Topit ishte realizuar në janarin e vitit të kaluar, pak ditë para shpalljes së pavarësisë, kurse kjo tani paraqet vizitën e tij të parë në Kosovën e pavarur.

 

FJALA E PRESIDENTIT TOPI PËRPARA KUVENDIT TË KOSOVËS.



8 janar 2009

I nderuar Zoti Kryetar i Seancës,
I nderuar Zoti President i Republikës së Kosovës,
I nderuar Zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të dashur motra dhe vëllezër,
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës të pavarur, sovrane dhe demokratike.


Është nder dhe privilegj i madh për mua të ndodhem sot, përpara jush, në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t'ju përshëndetur të gjithëve por sidomos për t'ju sjell këtu, urimin tim, urimin e gjithë popullit të Shqipërisë:
Ta gëzoni Kosovën e pavarur!
Ta gëzoni Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të këtij shteti sovran dhe demokratik!

Kur ndodhesha këtu, gjatë vizitës sime zyrtare, pothuajse një vit më parë, deklarova se Pavarësia e Kosovës ishte çështje orësh. Ajo në fakt kishte ardhur. Ajo ndodhej, në mendjet dhe në zemrat tuaja, ajo shikohej në buzët e të gjithëve Ajo ndihej në ajrin e pastër të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës erdhi ashu siç vjen një lajm i shumëpritur, ashtu siç vjen një ditë e madhe, ashtu siç vjen një festë e bukur, ashtu siç vjen një rilindje.

Ne e festuam këtë ngjarje së bashku me miqtë tanë. Ju e festuat këtë ditë me shumë dinjitet duke habitur jo vetëm skeptikët, por edhe kundërshtarët e pavarësisë. Ju treguat, që në çastet e para, se e meritonit këtë pavarësi historike, se meritonit përgjegjshmëri ndaj shtetasve tuaj dhe se meritonit partneritet ndaj aleatëve euroatlantikë dhe miqve të huaj.

Historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë apo një ëndërr shekullore të një populli të shtypur; ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime; ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.

Por kjo fitore është vetëm përfundimi me sukses i një beteje të gjatë, lufta dhe sfida sapo ka filluar, ajo është thirrja për të ndërtuar paqen e mirëqenien e qëndrueshme dhe të ardhmen e sigurt të brezave.

Pavarësia e Kosovës erdhi sepse duhet të jepte shembullin pozitiv të një investimi të suksesshëm të demokracive perëndimore në një hapësirë të njohur tradicionalisht për dhunë etnike dhe politike, për të mbyllur përfundimisht kalvarin dhe makthin e stërgjatur të shpërbërjes së perandorisë së fundit të dhunës në zemër të Europës dhe zgjidhjen e çështjes së fundit të mbetur pezull të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria është e bindur se krijimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës krijoi kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike. Vetëm një Kosovë e pavarur mund të ndërtojë një shoqëri demokratike, një shoqëri të lirë dhe të drejtë, një shtet ku pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo shtetas i saj është i sigurt në pronën dhe shtëpinë e tij, ku si të rriturit ashtu edhe fëmijët mund të projektojnë natyrshëm të ardhmen e tyre.
Kjo nuk është vetëm bindja e Shqipërisë, kjo është bindja e besimi edhe i partnerëve tanë, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve fqinjë apo jo fqinjë, të cilat mbështetën procesin e pavarësimit, njohën në kohën e duhur shtetin e ri të Kosovës si realitet të ri gjeopolitik ne Ballkanin Perëndimor dhe së bashku me të, po mbështesin partneritetin e brendshëm dhe të jashtëm të këtij shteti sovran. Fakti që Kosovën e kanë njohur deri tani 53 vende me peshë në arenën ndërkombëtare e shtete të tjera pritet ta njohin së shpejti, është argumenti i pakundërshtueshëm se ky proces është sa i ligjshëm, aq edhe i pakthyeshëm, pavarësisht përpjekjeve apo ndërmarrjeve të jashtme apo të brendshme për të kundërshtuar këtë të vërtetë europiane.
Të nderuar deputetë,

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në një intervistë të programit në gjuhën shqipe të Radios "Europa e Lirë" më datën 12 nëntor 2005 deklaroi rreth zhvillimeve në Kosovë se, dhe po e citoj:

"Ne duhet të gjejmë rrugën për të jetuar të gjithë së bashku, për të punuar së bashku dhe të ecim përpara së bashku"!

Jam shumë i lumtur që Presidenti i Kosovës, Parlamenti i saj, Kryeministri dhe Kabineti qeveritar gjithëpërfshirës po tregojnë, nëpërmjet pjekurisë e kulturës së tyre shtetformuese dhe politikës së tyre rajonale e të fqinjësisë, se dëshirojnë në mënyrë të sinqertë të ecin përpara së bashku. Jam këtu t'ju pohoj se Shqipëria do t'ju mbështesë dhe do t'ju inkurajojë në këtë rrugë të përbashkët: në rrugën e integrimit euroatlantik!

Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila, në fakt duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, si për të rimëkëmbur besimin reciprok të bashkëjetesës ndëretnike, ashtu edhe për t'i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës.

Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës.

Unë besoj se vullneti i palëkundur i autoriteteve të Kosovës, qëllimi e përgjegjësia e misionit bashkëpunues EULEX me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e KFOR-it nuk do të lejojnë që incidentet e dhunshme, të cilat jo vetëm mbjellin frikë e mosbesim në Mitrovicë, por edhe zgjojnë ëndërra të segmenteve të inkriminuara nacionaliste ballkanike, të sfidojnë qëllimet e larta të sovranitetit, të integrimit e të sigurisë jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit tonë. Dallimi midis atyre që gjenerojnë dhunë, atyre që e pësojnë atë dhe atyre që i kanë shpallur luftë asaj është parimor në situata të tilla. Kuptohet se integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare dhe në jetën politike është një sfidë e vështirë, sidomos për komunitetin serb, por është rruga e vetme për të gjithë ata që besojnë në të ardhmen e tyre, rrugë e cila duhet të përballohet me sukses.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Shqipëria, së bashku me Kroacinë, do të bëhen shumë shpejt anëtare të Aleancës më të madhe të sigurisë dhe të demokracisë në botë, NATO-s duke shtrirë brezin e sigurisë dhe të zhvillimit në kufi me Kosovën. Shqipëria do të aplikojë së afërmi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian duke shtrirë vlerat europiane në zemër të rajonit tonë.

Shqipëria dhe Kosova mund të japin shembullin e bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh dhe rajonal. Ne do të japim të gjithë përvojën tonë integruese dhe kapacitetet tona për të shpejtuar integrimin euroatlantik të Kosovës.

Republika e Shqipërisë po kërkon përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në tryezat shumëpalëshe e rajonale ku flitet e vendoset për të ardhmen e rajonit, ku zëri i saj do të dëgjohej për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal apo sfidave drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Si dy vende të përkushtuara ndaj platfotmave integruese dhe vlerave euro-atlantike, ne kemi tashmë një strategji të sigurtë për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve duke i futur ato në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dinamik.

Interesat e përbashkëta në shumë fusha, domosdoshmërisht kërkojnë një rritje të intensitetit në rrafshin e shkëmbimeve tregëtare e turistike, në fushën e investimeve reciproke dhe krijimin e një rrjeti unik të energjetikës si dhe në hapësirën e pafund të lidhjeve kulturore, arsimore e shkencore.

Qeveritë e të dy vendeve i kanë të gjitha hapësirat që vullnetin politik ta kthejnë në programe serioze bashkëpunimi në interes të drejtpërdrejtë të shtetasve tanë si në lehtësimin maksimal të lëvizjes së tyre nga të dy anët e kufirit, duke shtuar pikat kufitare e doganore e duke rritur sigurinë e tyre, ashtu edhe në drejtim të nxitjes dhe orientimit të burimeve të tyre financiare drejt investimeve serioze, afatgjata, të qëndrueshme e të sigurta.

Rruga Durrës-Morinë është investimi më i rëndësishëm infrastrukturor i Shqipërisë moderne. Nëpërmjet kësaj arterieje do të lëvizë zhvillimi, siguria, mirëqënia dhe burimet njerëzore jo vetëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe të vendeve të Europës Qendrore e Juglindore drejt porteve tona të Detit Adriatik për t'u bashkuar me korridoret e shpejta detare.

Shqipëria dhe Kosova janë shprehur qartë dhe me vendosmëri se dëshirojnë t'i përkasin edhe politikisht Europës së zhvilluar. Shtetasit tanë e meritojnë të lëvizin të lirë brenda kësaj bote të qytetëruar. Perspektiva e vetme dhe e sigurt është Brukseli euroatlantik. Ky është partneriteti që ne u ofrojmë miqve tanë ndërkombëtarë. Kjo është e ardhmja që ne u sigurojmë fëmijëve tanë.

Ju faleminderit!

 



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Britania lobon tek 33 shtete për njohjen e Kosovës (01.07.2009)
Gjermania zotohet për njohje të reja të Kosovës (01.07.2009)
Presidenti turk i premton ndihmë për njohjen e Kosovës nga vendet islamike (01.07.2009)
SHBA në favor të Planit Mubarak-Sarkozy - Rise: Kërkojmë armëpushim të menjëhershëm dhe të garantuar (01.07.2009)
Protesta e dytë këtyre ditëve në Preshevë - kërkohet lirimi i 10 shqiptarëve të arrestuar (01.06.2009)
Sarkozy kërkon përfundimin e menjëhershëm dhe pakushte të luftimeve mes Izraelit e Hamasit (01.06.2009)
Tony Blair: Të mbyllet tuneli midis Egjyptit dhe Rripit të Gazës (01.06.2009)
Bush- Izraeli po mbron popullin e vet, Hamasi shkaktar i gjendjes në Gaza (01.06.2009)
Presidenti i zgjedhur Barak Obama arrin në Washington D.C. (01.05.2009)
Intervista e Mishel Obamës tek CNN: Barak është njeri shumë i thjeshtë (01.04.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]