VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kongresi zyrtarizon Barak Obamën si presidentin e 44-t amerikan
E Premte, 01.09.2009, 03:46pm (GMT1)

9 janar (Zëri i Amerikës) - Sipas ligjit amerikan, Kongresi duhet të numërojë zyrtarisht votat elektorale të 50 shteteve amerikane dhe Distriktit të Kolumbias për të çertifikuar fituesin për president dhe zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara.

Votuesit amerikanë votuan ditën e zgjedhjeve në shtetet e tyre. Çdo shtet voton përmes votave elektorale për president dhe këto vota bazohen në numrin e përgjithshëm të përfaqësuesve që çdo shtet ka në Kongres dhe Senat. Në zgjedhjet e 4 nëntorit, Barak Obama fitoi 365 vota elektorale, ndërsa rivali i tij, senatori republikan, Xhon Mekein mori 173 të tilla.

Zëvëndëspresidenti Dik Çejni, që sipas Kushtetuës, drejton Senatin, hapi proçesin e çertifikimit:

"Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Shteteve të Bashkuara, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve po takohen në një seancë të përbashkët për të verifikuar çertifikatat dhe për të numëruar votat elektorale shtetërore për President dhe Zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara."

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi qëndroi në krah të zotit Çejni. Katër anëtarë të Kongresit, të përzgjedhur më parë morën fjalën dhe lexuan me zë të lartë çertifikatën e çdo shteti për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Përsëri Zëvëndëspresidenti Çejni, njoftoi rezultatet përfundimtare ndërsa ligjvënësit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën:

"Në zgjedhjet për President të Shteteve të Bashkuara u votua si më poshtë. Votohet për 538 vota elektorale, 270 e të cilave përbëjnë shumicën. Barak Obama, kandidati nga shteti i Ilinoit mori 365 vota. Xhon Mekein, kandidati nga shteti i Arizonas mori 173 vota."

Rezultatet zgjedhore nga zgjedhjet presidenciale po kështu do t'i dërgohen Arkivës Kombëtare Amerikane dhe do të regjistrohen në revistën zyrtare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Ceremonia u zhvillua dy javë para se Barak Obama të bëjë betimin si president i Shteteve të Bashkuara më 20 janar në pjesën perëndimore të Kapitolit.

Për ceremoninë e inaugurimit do të merren masa të jashtzakonshme sigurie dhe logjistike. Ceremonia pritet të sjellë në kryeqytet disa qindra mijëra vetë e ndoshta një milion vetë në Sheshin Kombëtar në Uashington./Voal-online.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.