VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vatra Presidentit Topi: Dekreto Ligjin e Spiunëve
E Shtunë, 01.10.2009, 03:39pm (GMT1)

Vatra Presidentit: Dekreto Ligjin e Spiunëve

 

10 janar (Voal-online)- Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi i është drejtuar një letër e hapur nga shoqata panshqiptare Vatra, ku kërkohet që të bëhet dekretimi sa më i shpejtë i Ligjit për Pastrimin e Figurave, i njohur ndryshe si Ligji i Spiunëve: "Letër e Hapur Drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë

I nderuar e i dashur Zoti President Bamir Topi,

Po ju drejtohem me këtë letër të shpreh mbështetjen e VATRËS për ligjin e Lustrimit të aprovuar nga parlamenti tash vonë.

Ai ligj është i domosdoshëm për vendosjen e të drejtës dhe dinjitetit të njeriut shqiptar. Ndarja e qartë dhe e prerë me të shkuarën diktatoriale komuniste është kusht i parë për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Shqipëria në këtë rrugë është e vonuar dhe nuk mund të pritet më gjatë.

Është e dhimbshme dhe e papranueshme sot të shohësh në nivele të larta të jetës politike dhe publike shqiptare - në parlament dhe institucione të rëndësishme shtetërore individë që kanë lyer duart me krime politike dhe i kanë shërbyer me zell makinës kriminale të diktatorit Hoxha.

Është cinike të thuhet se ato krime duhet të arkivohen, pa marrë asnjë qëndrim ndaj aktorëve të tyre. Dhe është e pafalshme që edhe sot, pas 18 vitesh pluralizmi e demokracie, ata individë nuk shprehin asnjë lloj pendese publike, përkundrazi, krenohen me arrogancë.

T'u kërkohet shqiptarëve të pranojnë si normal këtë realitet është aq absurde sa t'u

kërkohet gjermanëve të Gjermanisë post-hitleriane të pranojnë në krye të shtetit e

institucioneve ish oficerët e gestapos. Asnjë popull me dinjitet nuk do ta pranonte këtë gjendje. As shqiptarët nuk duhet ta pranojnë.

Zoti President, me besim të plotë në gjykimin tuaj në plotësimin e kompetencave

kushtetuese, veteranët kërkojnë nga ju dekretimin e këtij ligji dhe nga klasa politike

shqiptare në tërësi implementimin e tij sa më të shpejtë.

Duke ju shprehur konsideratën tonë më të lartë, mbetem

Me nderime,

Agim Karagjozi, Kryetar

Nju Jork, 9 janar 2009"

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.