Prishtinë, 11 mars - Procesi i dialogut Kosovë Serbi, ka ngecur për shkak të
dallimeve që po shfaqin palët sa i përket çështjes së kompetencave që duhet të
ketë Asociacioni i Komunave Serbe në Veri, vlerësoi për Radio Kosovën analisti,
Ilir Deda. Ai tha se BE-së, dhe zonjës Ashton, duhet t'i bëhet e qartë se
Kosova, sa i përket aranzhimit të brendshëm, ka bërë kompromis me bashkësinë
ndërkombëtare në vitin 2007 me Planin e Ahtisaarit dhe thjesht, më nuk ka
hapësirë për kurrfarë kompromisi tjetër.
I gjithë aktiviteti diplomatik i baroneshës Cathrine Ashton, bashkë me palët në
bisedimet Prishtinë Beograd, duhet të shihet në rrafshin e normalizimit të
marrëdhënieve të dy shteteve si dhe të integrimit të veriut në rendin
kushtetues, juridik të Republikës së Kosovës. Analisti Ilir Deda, vë në dukje
dallimet dhe këmbënguljen e të dy palëve në qëndrimet e veta sa i përket
çështjes së themelimit të asociacionit të komunave serbe, ku duket se ka
stagnuar procesi.
Natyrisht se baronesha Ashton, do të vijë me modelin e saj edhe para
udhëheqësve në Beograd edhe para udhëheqësve në Prishtinë, ku ajo do ta
propozojë kompromisin e të dy qëndrimeve. Deda, potencoi se duhet t'i bëhet e
qartë se Kosova sa i përket aranzhimit të brendshëm, ka bërë kompromis me
bashkësinë ndërkombëtare në vitin 2007 me planin e Ahtisaarit dhe thjeshtë, më
nuk ka hapësirë për çfarëdo kompromisi tjetër.
Sipas Dedës, me kompromis shtesë sa i përket asociacionit të komunave serbe,
rrezikohet krijimi i pushtetit të tretë në Kosovë dhe funksionaliteti i
shtetit. Në këto momente, Deda e sheh procesin në krizë. Ai shtoi se, pa marrë
parasysh krizën momentale, duhet të shihet në rrafsh më të gjerë se çka do të
thotë normalizimi ndërmjet shteteve dhe çka do të thotë që dy shtete, do të
fitojnë për zhvillim të tyre të brendshëm dhe karshi integrimeve në Bashkimin
Evropian.
Sa i përket afatit kohor për përfundimin e bisedimeve, që parashihet të ndodh
në muajin prill, Deda, tha se, a do të jetë muaji prill apo qershor kur do të
përfundojnë këto bisedime, është më pak e rëndësishme. Ai tha se është
jashtëzakonisht e rëndësishme që asnjë marrëveshje të mos prodhojë jo
funksionalitet, destabilitet dhe që asnjë marrëveshje të mos mund të ketë dy
kuptimësi në interpretim. D.m.th, ato duhet të jenë të qarta, duhet të jenë të
shkruara, që e gjithë popullata në Kosovë dhe e gjithë popullata në Serbi, të
sheh se çka është marrë vesh në këtë proces, thotë Deda.
Ai ka shtuar se, transparenca lidhur me marrëveshjet e arritura në dialogun
Kosovë Serbi, është shumë e rëndësishme për procesin në përgjithësi dhe
Kosovën në veçanti