VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AZEM HAJDARI DEKOROHET ME URDHËRIN E FLAMURIT
Azem Hajdari ishte udhëheqësi i lëvizjes më të madhe antikomuniste të vendit në Dhjetorit 90

E Hënë, 03.11.2013, 10:04pm (GMT1)



Në Tiranë, Presidenti Bujar Nishani dekoroi pas vdekjes zotin Azem Hajdari me Urdhërin e Flamurit Kombëtar për ndihmesë të shquar në shembjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit politik. Presidenti e dha këtë titull të lartë për zotin Azem Hajdari në 50-vjetorin e lindjes së tij. Deputeti Azem Hajdari ishte udhëheqësi i lëvizjes më të madhe antikomuniste në Shqipëri, dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, pas një izolimi të gjatë të vendit.

 
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nderoi sot me Urdhrin e Flamurit Kombëtar drejtuesin e  Lëvizjes antikomuniste studentore të dhjetorit '90, Azem Hajdari, pas vdekjes dhe në përvjetorin e lindjes së tij.  Presidenti Nishani i dha dekoratën e lartë zotit Hajdari për ndihmesën e tij "në shembjen e diktaturës komuniste, dhe në fitoren e pluralizmit politik dhe të demokracisë, duke mbetur përjetësisht i gdhendur në kujtesën historike të kombit shqiptar".
 
Në ceremoninë e organizuar nga presidenti për nder të Azem Hajdarit morën pjesë autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendi nga parlamenti dhe qeveria. Presidenti Nishani tha se Azem Hajdari është "një nga individët e rrallë që e bëjnë historinë, duke shprehur vullnetet e bashkëkohësve".
 
Bashkëshortja e tij, gjyqtarja Fatmira Hajdari tha se Azemi bëri sakrifica të panumërta për të kryer studimet universitare pas disa vite pune dhe krijimit të familjes si edhe drejtoi me guxim lëvizjen studentore kundër diktaturës komuniste, deri në fitoren e pluralizmit, një rrugë ku përballoi vështirësi të jashtëzakonshme.
 
Deputeti Azem Hajdari u vra me armë zjarri përpara oborrit të selisë qendrore të Partisë Demokratike mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 në një atentat të organizuar mirë nga një grup kriminal. Ai dhe truproja Besim Çerja humbën jetën në atentatin e katërt brenda pak muajsh. Një deputet socialist shtiu kundër deputetit demokrat Hajdari me revolver brenda në mjediset e parlamentit, ndërsa dy grupe të tjera shtinë me armë kundër tij në Tropojë dhe Fushë Arrëz ku shkonte për veprimtari të ndryshme politike.
 
Azem Hajdari ishte udhëheqësi i udhëheqësi i lëvizjes më të madhe antikomuniste të vendit në Dhjetorit 90. Ai ishte themelues i pluralizmit politik dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, forca e parë opozitare pas gjysëm shekulli diktature komuniste. Ai ishte deputet i thjeshtë në 4 parlamente rresht; viti 1991, '92, viti 1996 dhe '97, derisa humbi jetën pas sulmit me armë zjarri nga një grup i organizuar kriminal në qendër të Tiranës ku kishte zyrat e partisë, një vit pasi partia demokratike që themeloi doli në opozitë.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.